Aksidentoi për vdekje djalin e Visar Zhitit, 3 vjet burg motoristit që mbeti i paralizuar

Gjykata e Tiranës dënoi me 3 vjet burg drejtuesin e motorit, me të cilin u aksidentua për vdekje Atjon Zhiti.

Lajme

05/06/2016 09:50

Jeta e të riut u pre në mes nga aksidenti i ndodhur mëngjesin 20 dhjetorit 2014 në aksin Tiranë¬Durrës. Gjykata ka përfunduar procesin ndaj të akuzuarit për ngjarjen ku u vra pasagjeri Atjon Zhiti, djali 19 vjeçar i shkrimtarit Visar Zhiti. I pandehuri Serxho Martiniani, i cili ka mbetur i paralizuar në gjymtyrët e poshtme nga aksidenti, u deklarua i fajshëm për akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.

Aksidenti ndodhi në një segment të rrugës, ku për shkak të disa punimeve dy korsitë ngushtoheshin në një të vetme. Sipas Gjykatës, shkaku kryesor i aksidentit me pasojë vdekjen e djalit të shkrimtarit ka qenë shpejtësia e madhe e drejtimit të motorit nga i pandehuri. Referuar akt-ekspertimeve, shpejtësia e lëvizjes në momentin e aksidentit ka qenë të paktën 160 km/h, tej normave të lejuara në atë segment. Në të njëjtën kohë, në devijimin e rrugës, përveç sinjalizimeve të tjera, ka qenë vendosur një tabelë kufizimi shpejtësie në 20 km/ h. Në vendimin e fajësisë të shpallur pak ditë më parë nga një treshe e kryesuar nga Altin Abdiu dhe anëtare Migena Laska e Tereza Lani, urdhërohet ndalimin i të pandehurit për të drejtuar mjete motorike për një periudhë 5¬ vjeçare.

NGJARJA

Aksidenti që i mori jetën Atjon Zhitit ndodhi më 20.12.2014, përballë një fabrike mielli të ndodhur në autostradën Tiranë¬Durrës. I pandehuri Serxho Martiniani, 19 vjeç në kohën e ngjarjes, duke drejtuar motorin “Yamaha”, me targë AI879, ngjyrë e bardhë, është përplasur me sinjalistikën e përkohshme të rrugës, ku po kryheshin punime. Ai ka humbur kontrollin e mjetit dhe është rrëzuar me gjithë motoçikletë në pjesën e karrexhatës përballë fabrikës së miellit.

Si pasojë e këtij aksidenti gjeti vdekjen shtetasi Atjon Zhiti, i datëlindjes 30.8.1995, pasagjer në këtë motor si dhe u dëmtua rëndë edhe vetë drejtuesi i motorit, i cili u dërgua fillimisht në Spitalin Ushtarak në reanimacion e më pas për kurime të mëtejshme jashtë shtetit. Nga këqyrja e bërë në vendin e ngjarjes ka rezultuar se mbyllja e rrugës nga dy korsi lëvizjeje është bërë përmes disa paneleve vertikale, të cilat kanë fushë me vija të kuqe e të bardha dhe një fener në pjesën e sipërme, që në momentin e këqyrjes nuk ishte i ndezur. Njëkohësisht, 30 metër para një bordure betoni të vendosur pjerrtas për mbylljen e korsisë ka pasur panele fosforeshente dhe para devijimit është vendosur dhe një tabelë 20 km/h.

DESHMIA E SHOKUT

Para aksidentit, i pandehuri Serxho Martiniani dhe i ndjeri Atjon Zhiti kanë qenë në shoqërinë e njëri-tjetrit në një nga baret e kryeqytetit. Sipas dëshmisë së një tjetër shoku të tyre, gjatë kësaj kohe ata kanë konsumuar edhe pije alkoolike. “Tedi K., shok i viktimës dhe i të pandehurit, i cili ndër të tjera dëshmoi se së bashku me viktimën Atjon Zhiti dhe të pandehurin Serxho Martiniani, në një grup shoqëror kanë frekuentuar disa lokale të ndryshme natën e ngjarjes përpara se të ndodhte aksidenti dhe se kishin konsumuar pije alkoolike, por se nuk ishin dehur”, citohej dëshmia e tij në vendim. Sipas Gjykatës, ndonëse ky dëshmitar ka pohuar se dy miqtë e tij të përfshirë në aksident kishin konsumuar pije alkoolike, nga akt-ekspertimi toksikologjik në gjakun e të pandehurit dhe të viktimës nuk është zbuluar prani e alkoolit. (Panorama)