Aksidentohet me makinën e vjedhur

Një person sipas Policisë ka vjedhur një veturë me të cilën më pas ka humbur kontrollin dhe ka shkaktuar aksident trafiku.

Lajme

28/03/2017 12:26

Policia e Rajonit të Prizrenit ka njoftuar se sot rreth orës 01:35 policia është njoftuar nga një person se po i vidhet vetura.

Vetura e ankuesit kishte qenë e parkuar pranë banesës së tij në rrugën “Adem Jashari”, në Prizren.

Me ta pranuar informatën, policia ka nisur me bllokimin e rrugëve ku supozohej se mund të kalonte i dyshuari.

I dyshuari i cili vodhi veturën e ankuesit në ikje e sipër në rrugën “Tirana” ka humbur kontrollin ndaj automjetit dhe ka shkaktuar aksident trafiku duke u përplasur me një veturë tjetër.

I dyshuari më pas është përplasur me një kabinë rojesh ku edhe ka lënduar një rojë i cili po qëndronte aty.

Po ashtu edhe i dyshuari ka marrë trajtim mjekësor ndërsa hetuesit policorë po punojnë për zbardhjen e rasteve të veturave të vjedhura në të cilat mund të ketë qenë i përfshirë ky i dyshuar.