Aksident në Preshevë, një refugjat sirian i vdekur e 9 të plagosur

Një siriane ka vdekur dhe 9 refugjatë të tjerë kanë ngelur të lënduar rëndë pas një aksidenti në afërsi të Preshevës, kur autobusi që po i transportonte ata u përplas në udhëtimin drejt kufijve të Bashkimit Europian.

Lajme

05/10/2015 22:30

Mjekët thonë se dy të tjerë janë në rrezik për jetën. Ndërkaq në Preshevë, mbi 10 mijë refugjatë kanë arritur vetëm gjatë fundjavës.

Moti i ftohtë ka bërë që organizatat për ndihmë ndaj refugjatëve të kërkojnë më shumë veshmbathje dhe batanie.

“Nevoja më e madhe, siç thekson edhe vendimi i Kryqit të Kuq, është pasja e më shumë veshmbathjeve, pasi ditët e ftohta e me reshje shiu janë në prag dhe të gjithë ata do të kenë nevojë për ndihma të tilla”, tha Ahmet Halimi nga Kryqi i Kuq i Serbisë.

Probleme ka krijuar edhe regjistrimi i refugjatëve, pasi të gjithë duhet të presin dhe numri i tyre shtohet çdo ditë, duke pritur në rrugë për dokumenta.

“Policia ka shtuar kapacitetet e saj dhe gjatë dy ditëve të fundit kushtet janë më të mira. Por kjo ka ndikuar në radhët e gjata”, tha Alan Ghafarri i UNHCR-së.

Për rreth dy javë, në Kroaci janë futur mbi 100 mijë refugjatë dhe duket se numri i tyre nuk do të bjerë, transmeton Top Channel.