Aksident në Gostivar, 13 të lënduar

Sot rreth orës 12 e 40 minuta në rrugën lokale për në fshatin Padalishtë të Gostivarit, në afërsi të urës ka ndodhur një aksident trafiku, ku një makinë transporti – furgon “Ford Turneo” me targa të Gostivarit, i drejtuar nga 47-vjeçari Kasam. M. nga ky fshat është rrokullisur duke përfunduar në humnerë.

Lajme

11/04/2016 18:43

Gjatë përmbysjes së furgonit lëndohen 13 persona me lëndime trupore të ndryshme. Një vajzë 13-vjeçare menjëherë pas ndihmës mjekësore në Spitalin e Gostivarit, është transferuar menjëherë në klinikat e Shkupit.

Pas disa orësh, drejt Shkupit janë nisur edhe 3 pasagjerë të tjerë të lënduar më rënd, 9 persona të tjerë, aktualisht gjenden në spitalin e Gostivarit ku ata kryejnë ekzaminimet e nevojshme mjekësore. Aty do të qëndrojnë në observim prej 24 orësh, pas çka do të vendoset për kurimin e tyre të mëtejmë, njofton Zhurnal.

Në vendin e ngjarjes ka arritur policia dhe së shpejti kanë filluar me inspektimet e nevojshme në vendin e ngjarjes, ndërsa informata konkrete do të kumtohen gjatë ditës së martë.

Pas aksidentit të rëndë tragjik të ndodhur sot në mesditë në rrugën lokale për në fshatin Padalishtë të Gostivarit, të lënduarit në Spitalin e Gostivarit janë vizituar nga kryetari i Komunës së Gostivarit, z. Nevzat Bejta.

Gjithçka që varet nga faktori njeri, tha kryetari Nevzat Bejta, është vënë në lëvizje dhe punohet në të gjitha drejtimet për të dalur në ndihmë të personave të lënduar nga ky aksident famëkeq.

“Është një lajm i trishtueshëm ku kemi fëmijë të lënduar dhe disa qytetarë të tjerë. Falënderoi ekipin mjekësor të Spitalit dhe pjesëtarët e Policisë së Gostivarit për gatishmërinë dhe përgatitjen profesionale për tu ballafaquar me këtë rast të rëndë. Kemi mobilizuar institucionet dhe gjithçka që varet nga faktori njeri do të bëjë të pamundurën për të dal në ndihmë të personave të lënduar. Solidarizimi i popullatës vendase ka bërë që personat e lënduar shpejt të tërhiqen nga furgoni për tu bartur në Spitalin e Gostivarit, dhe kjo meriton lëvdatë të madhe”, tha mes të tjerash kryetari Bejta.

Kryetari, z. Nevzat Bejta ngushëlloi familjarët e të lënduarve me uratën që sa më shpejt të shërohen dhe të kthehen në shtëpitë e tyre familjare.

Nga aksidenti, si pasojë e daljes nga rruga dhe rrokullisjes së furgonit, mbetën të lënduar 13 pasagjerë përfshi edhe nxënës të shkollës së fshatit.