“Air Serbia” sërish “pushton” Shqipërinë

Pas 6 vjetësh mungesë, në Shqipëri rikthehet kompania ajrore serbe “Air Serbia”.

Lajme

10/08/2014 22:05

Lajmi është dhënë nga gazeta INA e cila ka treguar se kjo kompani do të fillojë fluturimet në datën 23 shtator të këtij viti, ndërkohë që kompania ajrore shtetërore serbe parashikon të tërheqë një numër të konsiderueshëm të pasagjerëve transit të linjës Tiranë-Beograd. 

Nuk dihet saktësisht se si do operojë me fluturimet kjo kompani, por mesa mësohet do të jenë 3 fluturime në javë. Pas shkëputjes së marrëdhënieve me kompaninë paraardhëse “JAT airways” në vitin 2008, marrëdhënie e cila u ndërpre si pasojë e shkurtimit të kostove por edhe se Shqipëria ishte një destinacion jo shumë fitimprurës, tashmë kompania “Air Serbia” është kompania e dytë serbe në histori e cila operon me Shqipërinë. 

Gjendja tashmë ka ndryshuar në Shqipëri, dhe tregu për kompanitë e huaja ajrore është më i thjeshtë dhe më i arritshëm. Pas “Albania Airlines” që ndërpreu shërbimet në vitin 2011, edhe kompania “Bell Air” tashmë nuk operon më pas falimentimit që pësoi vitin e kaluar dhe akuzave për monopol. Në këtë mënyrë për linjat e huaja ajrore janë rritur mundësitë për të tërhequr pasagjerë nga Shqipëria. 

Të dhënat zyrtare të Aireoportit të Rinasit tregojnë se pas largimit të “Bell Air” numri i pasagjerëve është rritur më 6.8 % ndërkohë që është ulur numri i udhëtimeve me po të njëjtën shifër. Pra, tregon qartë që menaxhimi i gabuar ka ndikuar në këto shifra dhe tashmë linjat e huaja jo vetëm që kanë më shumë siguri për të operuar në Shqipëri, por edhe qytetarët ndihen më të qetë e më të qartë. 

Edhe pse sipas të dhënave çmimet e biletave të udhëtimeve nuk janë ulur, përsëri liberalizimi i tregut të linjave ajrore tashmë është arritur duke pasur mundësinë që shumë linja ajrore të huaja të operojnë në vendin tonë, përcjell shekulli. 

Dane Kondi, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i “Air Serbia”, deklaron se është një mundësi shumë e mirë për të dyja vendet.

“Rikthimi i shërbimeve ajrore mes Serbisë dhe Shqipërisë është një e mirë e madhe për të gjithë rajonin. Mund t’ju them se fluturimet tona do të ndihmojnë në zhvillimin e tregtisë ndërmjet Beogradit dhe Tiranës”, citohet të ketë thënë Kondi.