Agresiv, aeroplani rus shëtit nëpër ajrin suedez si në “bahçe të babës”!

Mbi Detin Baltik ka ndodhur një incident i ri ndërkombëtar pasi një aeroplan gjuajtës rus Su-27 kreu një manovër të rrezikshme dhe iu afrua më pak se një metër aeroplanit ushtarak suedez, thanë zyrtarë suedezë. 

Bota

06/10/2014 19:44

Shërbimi informativ suedez FRA të enjten publikoi një njoftim në të cilin thotë se gjuajtësi rus ka kryer një manovër agresive ndaj aeroplanit mbikëqyrës suedez dhe këtë e ka bërë në një distancë prej më pak se një metri, kurse pastaj ia ka treguar edhe arsenalin e armatimit që mbante nën njërin krah e tij. Informatorët suedezë madje publikuan edhe foton e gjuajtësit rus, nga e cila shihet tentimi frikësues agresiv dhe tregimi i “muskujve”.

Suedezët thonë se ky nuk është rast i izoluar dhe se incidente të ngjashme kanë ndodhur disa herë gjatë gjashtë muajve të kaluar.

“Në përgjithësi, në disa vite të fundit është regjistruar rritje e aktivitetit ushtarak mbi Baltik. Mes tjerash, këtu përfshihen edhe aeroplanët gjuajtës rusë që në mënyrë agresive provokojnë aeroplanët e shteteve tjera”, tha Lena Nyberg, shefe e Shërbimit informativ suedez.

Zëvendës/drejtori i Shtabit të përgjithshëm të ushtrisë suedeze, Anders Grenstad thotë se me vëmendje ndiqet aktiviteti ushtarak rus në rajon dhe thekson se sjellje e tillë agresive nuk është vërejtur që moti.

Rusia, në anën tjetër, ende nuk i ka komentuar akuzat suedeze.

Lajmi suedez për këtë sjellje agresive të aeroplanit gjuajtës rus u publikua pasi muajin e kaluar dy gjuajtës rusë Su-24 ishin vërejtur në hapësirën ajrore suedeze, në jug të  Öland.