AGK kundërshton largimin e punëtorëve nga RTK-ja

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është pozicionuar kundër vendimit të drejtorit të përgjithshëm të RTK-së për shkëputjen e marrëdhënies së punës së dy punëtorëve të transmetuesit publik, kryetarit të sindikatës së pavarur, Fadil Hoxha, dhe zëvendëskryetarit Arsim Halili.

Lajme

26/03/2015 19:29

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës vlerëson se vendimi i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së nuk ka bazë të mjaftueshme përmbajtësore për largimin e dy punëtorëve, aq më pak kur njeri prej tyre është në krye të sindikatës, veprimtari e rregulluar me ligjet në fuqi, e tjetri gazetar, mision i pakontestuar për shpalosjen e informatave.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kujton se me Ligjin e RTK-së, RTK-ja ka statusin e televizionit publik me rëndësi të posaçme i cili i ofron shërbim publikut në fushën e veprimtarisë mediale. Rrjedhimisht si institucion i rëndësisë nacionale, RTK-ja nuk guxon ta shuajë zërin sindikalë dhe gazetaresk”.

“AGK përcjell në vazhdimësi zhvillimet në transmetuesin publik dhe kërkon nga Kuvendi i Kosovës që si themelues, në pajtim me ligjin, të punojë në sigurimin e pavarësisë institucionale për ta shndërruar RTK-në në një televizion në shërbim të publikut e jo në një arenë konfliktesh personale e ndërpersonale që ndërsyhen nga partitë politike”, thuhet në njoftimin e AGK-së.