Agjencitë e lajmeve mblidhen në Shqipëri, diskutojnë për turizmin

Roli i mediave është shumë i rëndësishëm në promovimin e turizmit, sidomos në një vend si Shqipëria, ku ndryshimi i imazhit në sytë e njerëzve që nuk e kanë vizituar kurrë Shqipërinë është i domosdoshëm. Kështu u tha në Asamblenë e 25-të Agjencive së Lajmeve të vendeve të Detit Mesdhe (AMAN), e cila hapi punimet sot në Tiranë, që në fokus të diskutimeve kishte median dhe turizmin.

Lajme

31/05/2016 16:59

 

Gjatë punimeve të Asamblesë, drejtues dhe përfaqësues të agjencive të lajmeve diskutuan për ndjeshmërinë dhe rolin që duhet të luajnë këto institucione të rëndësishme mediatike, për promovimin e turizmit në këtë rajon dhe sfidat në periudhën aktuale.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta tha se çdo promovim pozitiv i potencialeve të vendeve respektive është një kontribut që secili jep për vendin e tij. Ndërsa, tha se ekziston një perceptim jo shumë i drejtë për Shqipërinë dhe se mediat duhet të punojnë dhe me shumë me qëllim të përmirësimit të imazhit, që te tjerët e kanë krijuar për një Shqipëri, që nuk përkon me realitetin.

“Shohim që ka media në Shqipëri që për shkak të interesave të kompanive të caktuara, të cilat kanë interes për të promo vuar turizmin e shqiptarëve jashtë Shqipërisë të përhapin lajme dezinformuese dhe keqinformuese, për standardet e turizmit në Shqipëri për problemet e cilësisë së detit, ujit të pijshëm e kështu me radhë, me qëllim për të frikësuar turistët shqiptarë apo të tjerët për të bërë pushimet e tyre në Shqipëri dhe për t’i bërë ato në vende të tjera në mënyrë që të përfitojnë këto agjenci. Ne nuk jemi kundër promovimit të turizmit të vendeve tjera, përkundrazi, por është shumë e rëndësishme të theksojmë se mediat duhet të jenë objektive gjithmonë. Ne nuk themi të fshehin të vërtetën, përkundrazi…dua te theksoj rëndësinë që kane mediat në të dyja rastet si për mirë dhe për keq. Ne këtë drejtim besojmë në përgjegjësinë tuaj në pasqyrim objektiv të këtij realiteti në promovimin e potencialeve të gjithë rajonit dhe gjithë vendeve tona”, tha ai.

Ndërsa, sekretari i përgjithshëm i AMAN-it , Geoge Penintaex, tha se mediat kanë rol kyç në promovimin e turizmit dhe se turizmi nuk mund të lulëzoj nëse nuk e ka promovimin e duhur.

“Pika e diskutimeve tona sot është turizmi. Agjencitë e lajmeve nuk mund të mbyllin sytë ndaj kësaj industrie. Sipas opinionit tim, kjo është një situatë ku media mund te fitoj nga turizmi dhe turizmi të fitoj nga media. Turizmi nuk mund të lulëzoj, nëse nuk ka promovimin e duhur i cili vjen nga mediat. Rajoni i Mesdheut ka një potencial shumë të madh turistik dhe mediat mund të luajnë një rol shumë të madh në këtë drejtim, për benefitin e shoqërive dhe njerëzve të Mesdheut. Agjencitë e lajmeve mund të japin një kontribut të madh për zhvillimin e turizmit”, tha ai.

Ndërsa, foli dhe për imazhin e Shqipërisë jashtë vendit, duke pohuar se Shqipëria nga brenda është shumë më ndryshe se sa percepcioni që njerëzit kanë për të dhe se duhet që të promovohet sa më shumë.

“Është hera e parë që erdha këtu dhe mendova se Shqipëria ishte ajo që njihnim përpara. Pra Shqipëria e kohës komuniste dhe të gjithë kanë një ide paraprake çfarë ka qenë ky vend. Kur dikush vjen këtu e ndryshon menjëherë mendimin. Sepse takon njerëz dhe shikon vetë me sy çfarë po ndodh këtu dhe çdokush e ndërron mendjen kur vjen këtu. Mund te them se e ndërrova dhe unë opinionin tim dhe një nga asetet kryesore të Shqipërisë ështe toleranca dhe harmonia”, tha ai.

E Ardit Çollaku, drejtor i përgjithshëm i turizmit në Shqipëri, tha se roli i mediave në promovimin e turizmit është kryesor.

“Roli i mediave në promovimin e turizmit është gjithmonë kryesor. Mediat e kemi thënë gjithmonë janë fuqia e katërt dhe është një fuqi e cila pavarësisht se nuk ka një ndikim të drejtpërdrejte në sektor, ka ndikim të drejtpërdrejte sa i përket promovimit dhe ndikimit, që mund të ketë sektori në zhvillimin ekonomik të vendit. Ne kemi ecur krahë për krahë me mediat dhe po mundohemi që bashkëpunimi me mediat të jetë gjithmonë dhe më aktiv”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i ATSH-së, Gëzim Podgorica tha se turizmi do të ishte i varfër pa mediat.

Ai po ashtu shtoi se agjencitë e lajmeve luajnë rol të jashtëzakonshëm për promovimin e turizmit.

“Turizmi nuk do të ishte shumë i njohur nëse nuk do ishin mediat të cilat sjellin ato inform acione të domosdoshme, jo vetëm në kuptimin e ngushtë të fjalës por një koncepti shumë të gjerë që ka turizmi, komunikimit që ai ofron të gjithçka qe lidhet jo thjeshtë me relaksin, por pasurinë kulturore trashëgiminë. Dhe gjithë kjo në gjykimin tim vjen se mediat kanë një vëmendje të shtuar në këtë drejtim…mediat duke qene krijuese, racionale por dhe dashamirëse që japin mesazhe përcjellin atmosferë e cila e rrit adrenalinën pozitive që duhet te kenë njerëzit për t’iu drejtuar këtij sektori. Agjencitë e lajmeve luajnë një rol të jashtëzakonshëm për këtë, sepse mbeten pika referente besueshmërie, të së vërtetës”, tha ai.

Edhe Nabila Zayati, menaxhere në agjencinë e lajmeve ANSA tha se lidhja në mes të turizmit dhe mediave është shumë e rëndësishme.

“Agjencitë e shohin turizm in si një nga sektorët me të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik. Lidhja e ndërsjell mes turizmit dhe mediave është shumë e rëndësishme, që për agjencitë mesdhetare të lajmeve promovimi i turizmit shihet si përgjegjësi e jona”, tha ajo.

Në këtë ngjarje, në të cilën po marrin pjesë mbi 30 agjenci të lajmeve nga të gjitha vendet e Mesdheut, është e ftuar edhe Agjencia e Lajmeve KosovaPress dhe po merr pjesë për herë të parë.

Kryeredaktori i Agjencisë së lajmeve “KosovaPress”, Gent Efendija tha se pjesëmarrja në këtë takim është tejet e rëndësishme për agjencinë që ai përfaqëson, e po ashtu dhe për Kosovën.

Ndërsa, duke folur për median dhe turizmin, ai tha se roli i mediave është tejet i rëndësishëm për të pasqyruar realisht imazhin e vendeve të ndryshme.

“KosovaPress , është hera e parë që është ftuar si mysafir në takimin e mediave apo agjencive të lajmeve të Mesdheut dhe ky është një nder i madh për Kosovën. Kërkuam sot në konferencë ne ditën e parë që të jemi si trup vëzhgues në takimet e ardhshme, meqë bashkimi ose krijimi i këtyre marrëdhënieve me agjencitë tjera të lajmeve në rajon dhe gjithë këto shtete të Mesdheut do ta bënte dhe më të hapur informacionin për qytetarët e Kosovës dhe mediat qe janë klientë të kosovaPress…Roli i mediave në promovimin e turizmit është i madh…është dëshira dhe ideja që të ndryshohet imazhi i Shqipërisë që është dhënë ndër vite. Do të ishte e rëndësishme dhe për Kosovën qe të organizonte dhe të ishte pjesë e këtij agjencioni, me arsyen që t’i jepte një imazh tjetër Kosovës t’iu tregonte njerëzve të shumë shteteve që nuk e kanë vizituar Kosovën ose nuk kanë pasur një pasqyrë të qartë të zhvillimeve dhe jetës që be het atje për të treguar normalitetin dhe një shtet të vogël evropian, ashtu siç ne funksionojmë”, tha ai.

Ndryshe, bashkë me Kosovën, për herë të parë po marrin pjesë edhe Kina, Rumania, Bullgaria, Maqedonia, ndërkohë që në rolin e vëzhguesve janë Rusia, Jordania, Emiratet e Bashkuara, Arabia Saudite, Korea e Jugut dhe vende të tjera. /kp