Agim Bahtiri paralajmëron protestë nëse diskutohet për ndarje të Mitrovicës

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka paralajmëruar protestë nëse dialogu me Serbinë shpie në ndarje të qytetit që ai e udhëheqë.

Lajme

06/09/2018 19:13

Ai i ka bërë thirrje krerëve shtetrorë që të mos luajnë me tokën e Mitrovicës që, sipas tij, është ende e freskët nga gjaku i derdhur.

“Nuk e kam dëshiruar rrugën asnjëherë, pasi që gjithmonë i dëshiroja bisedimet në tavolinë, sepse atje jam shumë i fuqishëm. Por çdo lëvizje në drejtim të kundërt të këtij apeli tim, në emër të qytetarëve të Mitrovicës do të më fus në një proces tjetër, e që unë nuk e dëshiroja”, ka shkruar Bahtiri në Facebook.

I pari i Mitrovicës ka thënë se duhet të krijohet një platformë e përbashkët dhe se dialogu duhet të udhëhiqet prej njerëzve më të mirë të vendit që nuk do ta fusin në rend dite shkëmbimin e territoreve dhe asociacionin.

Bahtiri e ka ftuar kryeministrin Haradinaj ta marrë timonin e shtetit që t’ia ruajë Kosovës sovranitetin.

Për çështjen e ndarjes së Mitrovicës, Bahtiri ka organizuar dy tryeza me shoqëri civile dhe parti politike.