Agim Bahtiri kërkon shkarkimin e Gjergj Dedajt

Në cilësinë e zëvendëspresidentit të AKR-së, Agim Bahtiri ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht kryeministri Ramush Haradinaj, që në mënyrë urgjente ta shkarkojë Gjergj Dedajn nga të gjitha pozitat brenda institucioneve të Kosovës.

Lajme

06/08/2018 14:43

“Gjergj Dedaj me deklaratat dhe veprimet e tij të vazhdueshme gjatë muajve të fundit ka nxitur përçarje tek qytetarët e Republikës së Kosovës dhe pakënaqësi të shteteve mike, duke i dëmtuar kështu rëndë raportet me disa miq tanë dhe imazhin e Republikës së Kosovës”.

“Andaj, duke mos dashur që heshtja ndaj deklaratave të papranueshme të z. Dedaj, të kuptohet si pajtim me atë që ai ka thënë, kërkoj nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj që ta shkarkoj z. Dedaj nga të gjitha funksionet në institucionet e Republikës së Kosovës urgjentisht, pasi që mendoj se ky veprim do të mirëpritej nga qytetarët e vendit, të pakënaqur me deklaratat e tij të fundit, por edhe nga shtetet mike që kanë bërë shumë për Kosovën”, thuhet në deklaratën e Bahtirit.