Aeroplani me 140 pasagjerë, humbi kontaktin në qiellin e Shqipërisë (Video)

Një ngjarje e pabesueshme ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, kur një aeroplan me 140 pasagjerë në bord, i nisur nga Franca për në Kuvajt, kishte humbur kontaktet sapo kishte kaluar Kroacinë. Thirrjet e kullave nga Roma dhe Athina në drejtim të aeroplanit kishin qenë të shumta, por askush nuk ishte përgjigjur.

Lajme

21/05/2016 00:14

Menjëherë nga Italia mësohet se ishte kërkuar që kulla shqiptare e Rinasit të kontaktonte me aeroplanin, por askush nuk ishte përgjigjur.

Në këtë kohë mësohet se ishin njoftuar kryeministri i Greqisë Aleksis Tsipras dhe ai italian Matteo Renzi. Pas kësaj ishte vendosur alarmi edhe në Shqipëri, pasi dyshimet çonin në faktin se aeroplani mund të ishte rrëmbyer.

Aeroporti i Rinasit mësohet se ishte vënë në gatishmëri, bën të ditur kanali televiziv grek Alpha. Për shkak se askush nga aeroplani nuk përgjigjej, alarmi i kuq ishte ndezur edhe në selinë e NATO-s në Bruksel.

Ishte lënë një linjë e hapur komunikimi, ndërsa Greqia kishte ngritur në fluturim dy aeroplanë F-16, që i ishin vënë pas aeroplanit me 140 pasagjerë.

Pas një ndjekje, aeroplanët i ishin afruar “Boingut” dhe kishin parë se dy pilotët ndodheshin në vendin e tyre. Ata kanë nisur kontaktet me dy pilotët dhe më në fund kanë komunikuar.

Dy pilotët mësohet se kishin qenë në gjumë për shkak të lodhjes, ndërsa aeroplani ishte duke u drejtuar nga piloti automatik.

Pasi është verifikuar gjithçka, ka rënë dhe alarmi ndërsa aeroplani ka vazhduar fluturimin e tij për në Kuvajt. E gjithë ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:10 të mbrëmjes së djeshme. /mapo.al/

YouTube player