Abdullahu: Nuk bën të ngutemi, duhet shkuar në zgjedhje

Publicisti Faton Abdullahu ka deklaruar se ka mungesë të informatave për gjithë procesin e dialogut me Serbinë dhe marrëveshjen për njohje.

Lajme

25/10/2018 22:34

“Ne mund të jemi pak a shumë viktima të mungesës së informacioneve të sakta, sepse nuk kemi sa duhet informata të dorës së parë”.

“Nëse i lexojmë me vëmendje, nga informacionet tona, pra jo nga përfaqësues politikë të shqiptarëve, nuk e kemi nga kjo dorë, ajo çka duhet thënë është se ka ende kohë që kjo punë të përtypet. Ka konfuzitet, edhe qytetarët edhe mediat duhet të dinë më shumë se çfarë po ndodhë”.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm se kemi të bëjmë me pushtetarët aktualë që janë pakicë. Nuk duhet të ngutemi, por të shohim se a mund të shkojmë ne si Kosovë në zgjedhje të reja për ta pasur një shumice, e ajo do të determinonte nga qytetari, për t’i dhënë mundësi qytetarit se kush duhet të jenë ata përfaqësues që do të merren me këtë çështje. Në asnjë mënyre nuk bën të ngutemi. Të diskutojmë të gjithë bashkë, por me një shumicë”.

“Pse te mos shkojmë në zgjedhje! Nëse ngutemi, mbetemi vetëm me propozimin e Thaçit, i cili nuk e ka as kontrollin juridik, as nga Parlamenti i Kosovës që funksionon mbi bazat e pakicës. Pra, këtë pështjellim duhet prishur dhe hequr nga skena politike kosovare dhe kjo mund të ndodhë me zgjedhjet, ndërsa më pas nëse propozimi i Thaçit është i mirë, e dërgojmë në Kuvend dhe e sqarojmë”, u shpreh ai  në Klan Kosova.