AAK e Nisma bojkotojnë edhe takimin e dytë për reformën zgjedhore të thirrur nga Thaçi
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën nuk do të marrin pjesë as në takimin e dytë të thirrur nga presidenti Hashim Thaçi, për të diskutuar për reformën zgjedhore.
Lajme
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u ka dërguar ftesë për një takim të dytë liderëve politikë për të diskutuar për reformën zgjedhore.
Por sikur takimi i parë edhe ky i dyti i thirrur për të premten do të bojkotohet nga opozita.
Zyrtarë të dy partive opozitare AAK e Nisma kanë konfirmuar për lajmi.net se nuk do të shkojnë në këtë takim.
Anëtari i kryesisë së AAK-së dhe zëdhënësi i saj, Muharrem Nitaj ka thënë për lajmi.net me anë të një sms se kjo parti nuk do të marr pjesë në këtë takim.
Edhe shefja e grupit parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami ka thënë se nuk do të marrin pjesë në këtë takim.
Ajo për lajmi.net ka thënë se Thaçi duhet ta pranojë dështimin e tij, sepse pa pjesëmarrjen e opozitës është e kotë të merren iniciativa të tilla.
“Nisma për Kosovën e ka dhënë qëndrimin e saj rreth kësaj çështje qysh kur z.Thaçi e bëri ftesën e parë, pra kjo vlen edhe tani e edhe për të ardhmen, ne i kemi thënë JO, i themi JO dhe do t’i themi JO”.
“z. Thaçi duhet të pranoj dështimin e tij, pasi që pa opozitën në atë tavolinë është e kotë të merren iniciativa të cilat pikërisht ai ka qenë penguesi i tyre për shumë vite”, ka thënë Bajrami.
Javën e kaluar presidenti Thaçi kishte thirrur një takim me lider të partive politike ku ishte diskutuar reforma zgjedhore.
Thaçi në këtë takim ishte shprehur se reforma duhet të përmbyllet dhe nuk mund ta ndal askush./lajmi.net