A e takoi kryeprokurori Lumezi kryeprokuroren e Serbisë për rastin Ivanoviq? Kryeprokurori jep sqarime

Në takimin me prokurorët nga rajoni, të cilin e ka organizuar kryeprokurori i SHBA-së Jeff Sessions, prokurorja e shtetit nga Serbia Zagorka Dolovac, ka biseduar me kryeprokurorin e Shtetit Aleksander Lumezi. Kështu i kanë thënë jo zyrtarisht gazetës së Beogradit “danas” burime diplomatike në Kosovë.

Lajme

08/06/2018 15:37

Takimi, në katër sy,  sipas gazetës Danas u bë me ndërmjetësim të Jeff Sessions e njëra nga temat e biseduara ka qenë edhe hetimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, kryetar i Iniciativës qytetare „Srbija, demokratija, pravda“ – Serbia, demokracia , drejtësia.

Por nga prokuroria e shtetit sqarojnë se shkrimi në fjalë është i pasaktë dhe se nuk ka pasur asnjë takim në katër sy mes ndonjë prokurori serb dhe prokurori nga Kosova.

“Kryeprokurori i SHBA-së, Jef Sessions nuk ka ndërmjetësuar në asnjë takim të këtij lloji dhe në të vërtetë një takim i tillë i raportuar, nuk ka ndodhur. Rrjedhimisht, meqenëse nuk ka pasur takim të tillë, natyrisht se as nuk është biseduar për ndonjë çështje të caktuar. Pra, është i pavërtetë lajmi se është mbajtur takimi i pretenduar dhe kinse është biseduar rreth vrasjes së politikanit serb, Ivanoviç”, shprehen nga Prokuroria.

Prokurori i Shtetit informon opinionin se në të vërtetë, më 24 prill 2018, Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, me ftesë të Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeff Sessions, ka marrë pjesë në një tryezë të karakterit regjional e cila është mbajtur në Zagreb të Kroacisë. Pjesëmarrës në këtë tryezë kanë qenë: Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-ve, kryeprokurorët dhe drejtorët e policive nga të gjitha shtetet e rajonit, si Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

Tutje në njoftim thuhet se gjatë po asaj nate, është shtruar darkë nga organizatori dhe në këtë darkë kanë marrë pjesë në një tryezë të gjithë të ftuarit e lartë shënuar dhe se ka pasur biseda rasti mes pjesëmarrësve, por në asnjë rast, në formën dhe temën për të cilën kanë raportuar mediat gjatë ditës së sotme.

Mirëpo sipas gazetës Danas, me insistimin e BE-së e të SHBA-së, hetimet për rastin e Ivanoviqit i zhvillojnë institucionet e Kosovës, ndërsa Beogradi zyrtar është mjaftuar me këmbimin e informatave.

Gazeta ka vazhdurar duke shkruar se Aleksandër Lumezi, kryeprokurori i shtetit dhe mikpritës formal i takimit, dy javë pas vrasjes së Ivanoviqit kishte thënë se “ekzistojnë disa dëshmi, porse, përkundër kërkesës së Prishtinës, organet e drejtësisë në Serbi nuk i kanë dërguar informata që i kanë për krimin“. Hetimet atëherë i zhvillonte Prokuroria e Qarkut në Mitrovicë. Lumezi atëbotë kishte thënë se “organet nga Beogradi nuk po bashkëpunojnë me organet e Kosovës për zbulimin e identitetit ë vrasësit“.

Në fillim të marsit, hetimet për vrasje i ka ndërmarrë Prokuroria Speciale e Kosovës. Spekulohet se i gjithë materialin dëshmues e kanë marrë shërbimet informative në Kosovë- Britania e Madhe, Gjermania dhe SHBA-ja, ndërsa pas zhvendosjes së hetimeve nga Mitrovica në Prishtinë, kontrollin e ka marrë Ambasada amerikane në Kosovë.