32-vjeçarja që përndiqte ish-të dashurin do t’i nënshtrohet Shërbimit të Provës

Numri i shtetasve që kryejnë vepra penale dhe për ta vendoset të ndiqet Shërbimi i Provës, sa vjen dhe rritet.

Lajme

05/06/2016 09:01

Një shtetase tjetër i është shtuar numrit të personave që ndjekin këtë shërbim, ditën e djeshme. 32-vjeçarja me inicialet L.P. ka marrë një dënim me 6 muaj burgim, por me pezullim të ekzekutimit duke u vënë në provë për 18 muaj, për akuzën e përndjekjes. 32-vjeçarja, pas 5 vitesh lidhjeje nuk pranoi vendimin e ish-të dashurit të saj biznesmen, i cili vendosi t’i jepte fund lidhjes, shkruan shekulli.

Që nga momenti i ndarjes, ajo ka nisur përndjekjen ndaj ish të dashurit, duke i shkuar deri në banesë, ku ai jetonte me familjen e tij dhe duke i shkaktuar shqetësime të vazhdueshme me thirrje dhe goditje të derës. Gjithashtu, pjesë e kësaj përndjekje kanë rënë edhe vajzat e biznesmenit, të cilat kanë marrë dhe mesazhe kërcënuese nga ish e dashura e babait.

Në këto kushte, biznesmeni ka kërkuar mbrojtjen e Gjykatës, e cila fillimisht lëshoi një urdhër mbrojtje për biznesmenin, sipas të cilit, ajo nuk duhej t’i afrohej atij, familjarëve dhe banesës së tij. Paralelisht edhe Prokuroria në bazë të denoncimit të biznesmenit nisi hetimet dhe e akuzoi 32-vjeçaren për veprën penale të përndjekjes. Gjatë gjykimit, e pandehura e pranoi akuzën, ndërsa gjykata në vendimin përfundimtar përveç masës së dënimit, ka caktuar që gjatë periudhës së provës prej 18 muajsh të mos shoqërohet me persona të dënuar.