14 vjeçarja shfrytëzohet për prostitucion, arrestohet 45 vjeçari

Një vajzë vetëm 14 vjeçare është shfrytëzuar për prostitucion. Autor i krimit është një 45-vjeçar i quajtur Astrit Nika, banues në Fushë Krujë të Shqipërisë. Bashkë me të, policia ka arrestuar edhe një 17 vjeçar me iniciale A.L.

Lajme

17/06/2016 10:44

Sipas policisë së Durrësit, këta shtetas për “një periudhë kohe” të papërcaktuar nga policia, kanë shfrytëzuar në banesën e Nikës 14 vjeçaren.

Përveç se e ka shfrytëzuar vet seksualisht, 45 vjeçari e ka detyruar të kryente marrëdhënie edhe me persona të tjerë kundrejt pagesës.

“Shtetasit e mësipërm për një periudhë kohe kanë shfrytëzuar për qëllime prostitucioni, në banesën e Nikës, shtetasen S.M.14 vjeçe. Nika ka kryer marrëdhënie seksuale, me shtetasen S.M. dhe e ka shfrytëzuar këtë shtetase që të kryente marrëdhënie me persona të tjerë kundrejt pagesës. Gjatë kontrollit në banesën e Nikës u gjet edhe shtetasi A.L”, sqaron policia lokale.

Policia thotë se Nika është person me precedentë penalë të mëparshëm.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprat penale ”Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe ”Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë”.