1070 ankesa në PZAP

PZAP ka pranuar 1070 ankesa gjatë gjithë procesit të zgjedhjeve lokale. Mulë Desku thotë se gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve kanë pranuar 301 ankesa. Desku deklaroi se të gjitha ankesat do të shqyrtohen ditën e enjte dhe të premte.

Lajme

05/12/2013 13:31

Që nga fillimi i fushatës së zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit  deri pas përfundimit  të zgjedhjeve të balotazhit Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa ka pranuar afër 1070 ankesa.

Edhe pse procesi zgjedhor në të dy raundet ka marrë lëvdata edhe nga partitë politike, kanë qenë vetë ato, së bashku me organizatat jo qeveritare për monitorimin e zgjedhjeve që kanë dërguar më së shumti ankesa në adresë të PZAP`së.

Kryesuesi i sekretariatit të PZAP`së Mulë Desku i ka prezantuar të gjitha ankesat lajmi.net duke përfshirë të gjithë procesin zgjedhore.

Ai ka thënë se në adresë të PZAP`së kanë ardhur 1070 ankesa.

“Për fushatën paraelektorale dhe fushatën zgjedhore PZAP`i  ka pranuar 274 ankesa, gjatë ditës së zgjedhjeve 173 sosh, lidhur me numërimin ka pasur gjithsej 261 ankesa ndërsa pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve ka pasur 61 ankesa”.

“ Sa i përket fushatës së balotazhit për kryetar të komunave PZAP`i ka pranuar 5 ankesa, ditën e votimit ka pranuar 14 ankesa dhe po ashtu një ditë më vonë janë paraqitur edhe 32 ankesa që kanë të bëjnë me ditën e votimit. Sa i përket rezultateve përfundimtare për kandidatët për asamblist janë paraqitur 250 ankesa”.

Sipas Deskut, PDK gjatë ditës së votimit ka paraqitur 7 ankesa kundër LDK`së ndërsa AKR  5 kundër AAK`së.

Një numër i konsiderueshëm i ankesave janë paraqitur edhe më 2 dhjetor.

“AKR ka dorëzuar 2 ankesa, të cilat kanë të bëjnë me numërimin e votave për asamblist të komunës së Prishtinës,GIS kundër SLS’së ka dorëzuar 2 ankesa, njëra ka të bëjë me thyerjen e heshtjes zgjedhore ne komunën e Ranillugut dhe tjetra me thyerjen e kutisë votimit nga ana e përkrahësve te SLS’së pas mbylljes së qendrave të votimit në Pasjan të komunës së Parteshit”.

“KDI, ka dorëzuar 10 ankesa, LVV, ka dorëzuar 10 ankesa, BIRN ka dorëzuar 6 ankesa PDK, ka dorëzuar 2 ankesa”.

Desku gjithashtu ka folur edhe për natyrën e ankesave që palët i kanë paraqitur në këtë organ.

“Thyerje e heshtjes zgjedhore, publikimi i simboleve partiake dhe posterave afër QV, lobimi për kandidatët e subjekteve, kërcënimi i vëzhguesve  blerje e votave, fotografimi i votës, hyrje dhe dalje te shpeshta te individëve te caktuar nëpër VV, lobimi i militantëve të partisë për kandidatet e subjektit të vet, votimi i hapur, asistimi i votuesve, votimi pa dokumente të pranueshme, transportimi i qytetarëve për të votuar”.

Të gjitha ankesat që kanë të bëjnë me ditën e zgjedhjeve të balotazhit duhet të shqyrtohen deri më datën 5 dhjetor të ditës së enjte, ndërsa sa i përket ankesave të paraqitura kundër rezultateve përfundimtare për kandidat dhe asambleistë duhet të shqyrtohen deri ditën e premte.