Opozita mobilizon të rinjtë e Pejës për protestën e 17 shkurtit

Përfaqësues të opozitës së bashkuar kanë mbajtur një takim me të rinjtë e Pejës për të diskutuar lidhur me zhvillimet e muajve të fundit në jetën politike në Kosovë. Organizime të tilla të organizuara në vazhdimësi nga Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe NISMA, janë duke i paraprirë protestës së thirrur për 17 shkurt në kryeqytet, ku do të kërkohet që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe të bie Qeveria.

Lajme

11/02/2016 23:28

 

I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se Qeveria në vazhdimësi ka provuar të shantazhojë dhe frikësojë opozitën duke burgosur deputetët e aktivistët e saj. Ai, po ashtu, përmendi edhe pretendimet të ndryshme që thonë se AAK-ja është dakorduar për t’u përfshirë në koalicionin qeverisës, pasi ka pranuar një ofertë të tillë nga kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi.

“A e dini çka kanë shpresu ata? Që mund të na rrahin e munden me na shti burgjeve, që munden të na disiplinojnë, mund të na frikësojnë, mund të na shantazhojnë, të na joshin besa dhe të na blejnë. Shihni pak kronologjinë e veprimeve, burgosjen e deputetëve, sulmet në seli të partive, sulmet në shtëpi . A po e shihni se si është përdor një zinxhir i masave deri te ato që i dëgjoni se si Aleanca po hynë në Qeveri. Bile, bile e ka bërë një marrëveshje, veç nuk po tregojnë këta që shkoj Ramushi te presidentja, u kry kjo punë, mbet veç me u ba kryetar Qeverie”, tha Haradinaj.

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se në këto kohë Kosova po udhëhiqet nga njerëz që kanë shkelur sovranitetin e vendit duke nënshkruar marrëveshjen për Asociacionin në Bruksel më 25 gusht të vitit të kaluar.

“Ne udhëhiqemi prej disa njerëzve, të cilët janë të thirrur dhe kanë marrë përgjegjësi për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, kurse vjet më 25 g usht i kanë lidhur dy marrëveshje të cilat e shkaktojnë saktësisht të kundërtën. E shkelin sovranitetin e Republikës tonë”, tha Konjufca.

Për Nderim Hysën nga NISMA, kjo situatë nuk është ajo që rinia ka kërkuar në vazhdimësi. Ai tha se rinia e Kosovës ka nevojë për punë dhe perspektivë evropiane përmes liberalizimit të vizave.

“Rinia e Pejës dhe e gjithë Kosovës ka nevojë për një të ardhme më të mirë. Për punësim, arsim dhe edukim më të mirë. Rinia e Kosovës për liberalizimi vizash, por ka nevojë që edhe pasi të përfundojnë studimet të gjejnë një vend punë që të pavarësohen dhe të nisin jetën e tyre”, tha Hysa.

Gjatë ditës së sotme, kryetari i AAK-së, Haradinaj, sot është takuar me strukturat e AAK-së edhe në Komunat e Istogut dhe Klinës.