10 ditë peng në Itali, shqiptarja nuk pranoi të bëhet prostitutë

Një vajzë shqiptare, 27-vjeçe emri i të cilës nuk bëhet i ditur nga mediat italiane, u gjet nga policia në një shtëpi ku mbahej peng prej 10 ditësh. Ajo ishte njohur në Shqipëri me një 37 vjeçar, që jetonte prej vitesh në Itali dhe që i kishte premtuar një jetë më të mirë.

Lajme

04/05/2016 11:39

E kishte joshur me një punë të re dhe i kishte thënë se do të jetonin bashkë. Me shpresën se në Itali do ta ndihmonte dhe motra e saj që jetonte prej vitesh atje, vajza ishte nisur të takonte 37 vjeçarin. Me t’u takuar ai e kishte dërguar në një shtëpi në periferi të Sienës. Gjëja e parë që kishte bërë sapo hynë në shtëpi, ishte marrja e celularit dhe dokumentave.

Më pas, shkruan La Stamoa, e rrahu, e kërcënoi dhe e poshtëroi. “Nëse do të jetosh, do të punosh prostitutë” i kishte thënë duke e rrahur. Pavarësisht se mbahej peng dhe e frikësuar, vajza nuk kishte pranuar të bindej. Në një prej ditëve, duke dalë nga shtëpia, 37 vjeçarit i kishte rënë telefoni nga xhepi. Vajza mundit të telefonojë motrën e saj. E vetmja gjë që arriti t’i komunikonte ishte se ishte marrë peng dhe ndodhej pranë Poggibonsi.

Policia italiane mori denoncimin e të motrës, por fillimisht nuk pati asnjë shenjë nga motra e saj. Kontrollet që u zhvilluan në zonë nuk qenë të suksesshme. Deri kur një burrë, kishte denoncuar britmat e një vajze që vinin nga një shtëpi aty pranë. Me të mbërritur policia kishte zbuluar se bëhej fjalë për pengmarrjen e denoncuar. 37 vjeçari shqiptar u vu menjëherë në pranga.