​Komuna e Prishtinës shpall situatë emergjente në “Rrugën B”

Nënkryetari i komunës së Prishtinës Muhedin Nushi, në konsultim me hidroinxhinierët komunalë dhe ata të Ujësjellësit, ka shpallur sot situatën emergjente për intervenim të menjëhershëm në Rrugën B.

Lajme

22/10/2018 14:57

“Problemi me kanalizim në këtë lagje është pasojë e kyçjeve të gabuara të ndërtuesve shumë vite më parë, të cilët kanalizimin fekal e kanë lidhur me kanalizimin atmosferik të ‘Banesave të Bardha’”, thuhet në një njoftim të komunës.

Sipas njoftimit me shpalljen e situatës emergjente mundësohet intervenimi i shpejtë përmes negocimit me kompani, duke shmangur kështu nevojën e tenderimit që do ta zvarriste procesin dhe do ta thellonte problemin në fjalë.

“Kësisoj, komuna e Prishtinës brenda 24 orëve do te fillojë punimet në atë zonë, në mënyrë që të lirohet gypi i kanalizimit, ta pastrohen podrumet, të bëhet deratizimi dhe dezinfektimi i nevojshëm”, thuhet tutje në njoftim.