​Intelektualët: Shqiptarët në Maqedoni të bashkohen për të drejtat e tyre

Intelektualët shqiptarë nga Maqedonia mbajtën një tribunë në Prishtinë me temën "Shqiptarët dhe kriza politike në Maqedoni".

Lajme

10/06/2016 18:27

Nga debati dolën konkluzionet se duhet të bashkohen partitë shqiptare atje të bazuara në koncepte dhe ide, për t’u mos u bërë pjesë e mashtrimeve maqedonase ndaj shqiptarëve.

Ish- ambasadori i Maqedonisë në Zvicër, Alejdin Demiri tha se ka krizë politike në Maqedini por jo krizë etnike.

Ai tha se koha është për një zgjidhje, dhe sipas tij ka rrugëdalje. E vetmja rrugë, sipas tij është që partitë politike të ndërmarrin hapa për zgjidhje politike për shqiptarët.

Demiri tha se partia e Ali Ahmetit, BDI është vë në përkrahje të kreut të VMRO-së, e jo në krah të shqiptarëve.

Edhe Ramazan Bekteshi profesor dhe njohës i rrethanave politike në Maqedoni tha se duhet gjetur më zgjidhje për ndalimin e regjimit maqedonas ndaj shqiptarëve.

Ai tha se në këtë moment duhet të bëhet unifikimi i faktorit politik dhe jo të përçahet në mënyrë që shqiptarët të mos diskriminohen.

Për të drejtat e shqiptarëve të cilat nuk po arrihen, Bekteshi tha se maqedonasit po montojnë disa padrejtësi për shqiptarët, siç është rasti i Monstrës dhe të tjera.

Intelektualët shqiptarë në fillim të debatit propozuan të krijohet një Klub i Intelektualeve Shqiptarë për zgjidhjen e problemeve shqiptare.

Mirëpo, profesori Agim Vinca tha se klubet e tilla nuk kanë perspektivë, mbase sipas tij këso lloj forumesh ka pasur edhe në të kaluarën.

Vinca tha se Kosova ndoshta është në pozitë më të keqe se Maqedonia. Ai mori shembull projektin serb në Veri të Mitrovicës të nisur dje.