Zyrtarët me verifikim negativ në MBP
Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme ka zyrtarë të lartë të cilët kanë marrë verifikm negativ në kuadër të ligjit për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë.
Lajme
Vetë ata që do të duhej ta respektonin ligjin, në këtë rast, atë për klasifikimin e informacioneve dhe verifikim të sigurisë, Policia e Kosovës dhe Ministri e Punëve të Brendshme ka zyrtarë të lartë të cilët kanë marrë verifikim negativ. Nga kjo ata do të duhej menjëherë të transferoheshin ose të largoheshin nga detyra që kanë. Por, një gjë të tillë ende nuk e kanë bërë.
Kështu ka thënë anëtari i AAK’së në Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI’së, Burim Ramadani i cili thotë se ka një tendencë mosrespektimi dhe moszbatimi të ligjit për klasifikim të informacioneve dhe verifikim të sigurisë.
“Në shumë raste, sidomos në Policinë e Kosovës dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, personat ose zyrtarët të cilët kanë marrë verifikim negativ me ligj do të duhej menjëherë të transferohen dhe të largohen nga detyra që e kanë. Por, vazhdojnë të punojnë në të njëjtën detyrë duke pasur qasje në dokumente sekrete ose dokumente konfidenciale dhe kjo është një shkelje e madhe e ligjit për klasifikimin e informacioneve”.
“Besoj se ky është mesazh tepër i qartë për institucionet sidomos për PK dhe MPB që nuk guxojnë të mos e zbatojnë ligjin. Tekefundit Policia është e thirrur ta zbatoj ligjin në Kosovë, dhe është institucion i tillë. Prandaj do të duhet që menjëherë ta zbatojë ligjin edhe sa i përket zyrtarëve të cilët janë zyrtarë të lartë të policisë së Kosovës të cilët nuk e kanë kaluar verifikimin dhe vazhdojnë ta bëjnë atë detyrë”.
Edhe kreu i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI’së, Florin Krasniqi nga Vetëvendosje, thotë se klasifikimi i këtyre informacioneve për aq sa ka parë ai nuk është gjithmonë korrekt. Por, thotë se është i rëndësishëm kalimi i verifikimit të zyrtarëve të departamenteve të ndryshme se a kanë pasur ata qasje në këto dokumente.
Por thotë se procesi i mosverifikimit të vetë anëtarëve të komisionit të AKI’së është sekret publik.
“Mendoj se procesi i mosverifikimit tonë është sekret publik, duke marrë parasysh përbërjen e komisionit tonë, po të hynim në procesin e verifikimit është një nivel tjetër”.
“Ne si Komision po t’ishim futur në procesin e verifikimit është dashur të shkojmë në nivelin top-sekret, ju dhe ne e kemi parasysh përbërjen e Komisionit”.
“Nuk është vetëm përbërja e Komisionit pse s’po kalojmë në verifikim, është niveli në të cilin jemi ne si deputetë, mendoj se një verifikim i joni në nivelin top-sekret do të kishte pasur dy pasoja, njërën që nuk kishim kaluar si Komision, atëherë ishte dashur të riformohej komisioni. E dyta, në qoftë se ne kishim kaluar deri në atë nivel partnerët tanë strategjik do të kishin shumë hezitime rreth bashkëpunim me Agjencinë tonë të Inteligjencës”.
Në anën tjetër Fadil Demaku, thotë se edhe vetë ai ka pasur ankesa të njerëzve të cilët është dashur ta kalojnë këtë proces.
Pranon se verifikimi i nuk ka kaluar në mënyrën me të mirë ashtu siç e parasheh ligji.
“Ne si Komision dhe unë personalisht kemi pasur shumë ankesa të njerëzve të cilët është dashur ta kalojnë nëpër këtë proces, dhe ata, i kanë vërejtjet e tyre që procesi nuk ka kaluar në mënyrën më të mirë ashtu siç e parasheh ligji, por, kanë mund të jenë edhe arsye të ndryshme që janë përcaktuar që të mos e marrin lejen e sigurisë”.
“Ne si Komision brenda asaj që na lejon ligji do t’i marrim në shqyrtim të gjitha këto raste dhe do të shohim nëse ka pasur shkelje a ka pasur elemente personale subjektivizmi ose çështje tjera që kanë mundur të ndikojnë në këtë proces”.
Ndryshe, të tre këta kur janë pyetur se a duhej që Forcat e Armatosura të kenë sektorin e inteligjencës, kanë dhënë përgjigje pozitive.