Zyrtarët kosovarë optimistë për pranimin e Kosovës në UNESCO

Në lidhjen direkte nga Parisi në Ora e Fundit në Klan Kosova është paraqitur drejtori i informacionit të Klan Kosovës Gazmend Syla. Syla është duke qëndruar në Paris për të përcjellë mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UNESCO-s që do të mbahet nesër.

Lajme

20/10/2015 23:57

“Nesër mblidhet bordi ekzekutiv që është një lloj qeverie e UNESCO-s që i bën gati të gjitha punët që duhet t’i kryeje konferenca e përgjithshme e  UNESCO-s që mbahet çdo dy vjet”.

“Vendimi merret në konferencën e përgjithshme që mbahet në nëntor”.

“Nesër është mbledhja e bordit ekzekutiv, ku Kosova duhet ta marrë vizën”.

Syla gjithashtu ka treguar se pika për Kosovën pritet të diskutohet rreth orës 15:00 gjatë ditës së nesërme, ndërsa ka treguar se është konferenca e përgjithshme që vendos pranimin ose mospranimin e Kosovës në UNESCO.

“Pika për Kosovën do të jetë rreth orës 15:00, ku Kosova duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave në mënyrë që të fitojë të drejtën që në nëntor të futet në rend dite në konferencën e përgjithshme”.

Drejtori i informacionit në këtë lidhje direkte nga kryeqyteti francez ka treguar se zyrtarët e Kosovës janë tashmë atje dhe janë shprehur optimistë.

“Ka arritur shefi i diplomacisë kosovare. Nesër prezent do të shfrytëzohen tentimet e fundit për të lobuar edhe në ato vende që kanë akoma mëdyshje, ndonëse ka besim të plotë që bordi ekzekutiv do të votojë pro”.

“Zëvendësministri i Kosovës ka arritur para pak kohe, por nuk e di për delegacioni serb”.

“Për aq sa na thanë zyrtarët e shtetit të Kosovës punët janë mirë dhe pritet që nesër të merret drita jeshile”.

“Nuk e di nëse ka arritur por e di që në Beograd ka pasur takime dhe zhvillime të shumta për ta penguar hapin e nesërm në bordin ekzekutiv”.