Zyrtarë të OVL të UÇK’së mashtruan veteranët, u kërkuan para për certifikata

Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të UÇK-së, ka lëshuar një njoftim ku thuhet se nuk duhet paguar asnjë cent për të marrë Certifikatën e statusit.

Lajme

14/09/2015 22:40

Kjo sipas komisioni ka ardhur pasi disa prej të autorizuarave të Komandantëve të Zonave kanë marrë para në formë pagese për t’i dhënë Certifikata.Komisioni bën të ditur që ky është keqpërdorim nga zyrtarët e OVL UÇK-së dhe këto veprime janë në kundërshtim me vendimet e komisionit.

Ky është njoftimi i plotë:

KOMISIONI QEVERITAR PËR NJOHJEN DHE VERIFIKIMIN E STATUSIT TË DËSHMORIT TË KOMBIT, INVALIDIT, VETERANIT, PJESËTARIT APO TË INTERNUARIT TË LUFTËS SË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS

NJOFTIM

Duke u bazuar në informatat e ardhura nga tereni komisioni i njofton të gjithë Veteranët se për t’u pajisur me Çertifikata nuk janë të obliguar të bëjnë pagesa në asnjë formë.

Këtë njoftim e bëjmë për arsye se kemi marrë disa ankesa nga tereni ku disa degë të organizatës së Veteranëve të Luftës në rajone të ndryshme të cilët janë autorizuar nga Komandantët e Brigadave për shpërndarjen e Çertifikatave, po aplikojnë pagesa për ata të cilët i marrin Çertifikatat.

Gjithashtu i njoftojmë të gjithë veteranët se asnjë nuk është i obliguar të bëjë pagesë dhe se aplikimi i pagesave për veteranët është keqpërdorim nga ana e zyrtarëve të UVL UÇK-së dhe se këto veprime janë në kundërshtim me vendimet e komisionit.

Me kete rast i’u bëjmë thirrje të gjithe eprorëve të cilët i kanë marr çertifikatat për shpërndarje nga komisioni që të jenë të përgjegjshëm dhe të kujdesen që ato t’u dërgohen personave të cilëve u takojnë.