ZYRTARE: Panucci e publikon listën, fton lojtarin që iku nga Kombëtarja e Kosovës

Trajneri i skuadrës përfaqësuese të futbollit, mister Christian Panucci ka shpallur sot listën e 25 lojtarëve që do të grumbullojë në vigjilje të dy ndeshjeve të tetorit të ekipit kombëtar, fillimisht miqësores me Jordaninë, të mërkurën në datë 10 tetor në “Elbasan Arena”, dhe më pas takimin zyrtar eleminator me Izraelin në Ber Sheva, në datë 14 tetor, sfidë e vlefshme për raundin e tretë të Grupit C1 për Ligën e Kombeve.

Sport

02/10/2018 18:15

Spikasin në këtë listë të teknikut kuqezi, katër futbollistë që vijnë për herë të parë në skuadrën kombëtare, siç janë mbrojtësi: Egli Kaja që aktivizohet në radhët e skocezëve të Livingstone, Kastriot Dermaku që luan në radhët e ekipit të Kozencës, si dhe dy sulmues, të cilët kanë marrë ftesën e trajnerit Panucci për këto dy ndeshje.

Së pari ish-sulmuesi i Laçit, Myrto Uzuni, I cili që nga ky sezon luan në kampionatin kroat me Lokomotivën e Zagrebit, si dhe Giaccomo Vrioni që vjen nga Venezia. Vijojnë ndërkaq të jenë të dëmtuar dhe në fazën e tyre të riaftësimit futbollistët Roshi e Sadiku, në një kohë që skuadrës i është bashkuar edhe Eros Grezda, i cili në grumbullimin e fundit, për probleme fizike nuk ishte në dispozicion të grupit.

Skuadra përfaqësuese e futbollit do të nisë seancat stërvitore ditën e hënë në kompleksin “Tropikal”, ku dhe do të grumbullohet në vigjilje të këtyre dy ndeshjeve. Më poshtë do të mund të gjeni edhe listën e plotë të lojtarëve të grumbulluar për sfidën me Jordaninë (miqësore) dhe transfertën zyrtare në Izrael.