Zyrtare: Ky është vendimi përfundimtar për KB Pejën

Komisioni Disiplinor i Federatës së Basketbollit të Kosovës , ka konfirmuar vendimin e vet të mëhershëm për ndeshjen e ndërprerë finale të plejofit të ETC Superligës dhe për KB Pejën.

Sport

04/06/2015 21:30

Në vendimin e KD-së ndër të tjera thuhet se “Mbetet në fuqi Vendimi me Ref. Nr. 185 datë 21.5.2015 i Komisionit Disiplinor të Federatës të Basketbollit të Kosovë me të gjitha pikat e tij”.

KD pasi ka rishqyrtuar të gjitha faktet dhe provat e ofruara dhe deklaratat e të gjithë aktorëve relevantë të përfshirë në ndeshje, ka vendosur që të konfirmojë vendimin për diskualifikim të KB Pejës nga garat e mëtutjeshme të ETC Superligës dhe dërgim në një rang më të ulët të garave.

KD po ashtu ka konfirmuar dënimin ndalim të ushtrimit të detyrës për një vit për zyrtarin e KB Peja Gazmend Pupovcit.

Në vendim thuhet se “Komisioni Disiplinor konsideron që akterët kompetent për organizmin e ndeshjes, për menaxhimin e situatës, vlerësimin e lojës, ndarjen e drejtësisë dhe kompetentët për ofrimin e sigurisë kanë ofruar fakte dhe dëshmi të mjaftueshme të cilat gjejnë fajtore KB Peja dhe demantojnë pretendimet se mosparaqitja e tyre ne loje lidhet me arsyetimet e tyre për mungesë te sigurisë”.

Komisioni Disiplinor pas ri shqyrtimit të provave është midis tjerash ka konstatuar se arsyeja për tërheqjen e KB Peja nga ndeshja e tretë finale e plejofit është se një person, i cili nuk është zyrtar i KB Peja, është shoqëruar në stacion policor për çka KB Peja ka shprehur pakënaqësi dhe kërkuar me ngulm lirimin e tij duke refuzuar që të vazhdojë ndeshjen, gjë që, sipas KD, i bën të paqëndrueshme pohimet e zyrtarëve të KB Peja, të bëra pas ndeshjes se nuk ka pasur siguri të mjaftueshme për vazhdimin e saj.