ZYRTARE: KF Llapi transferon belgun Hossari

KF Llapi ka zyrtarizuar transferimin e futbollistit Amir Hossari.

Sport

15/01/2021 15:30

Lajmin e ka bërë të ditur klubi përmes një postimi në rrjetin e tyre social, Facebook. Hossari ka nënshtetësi belge, por me origjinë ëshë nga Libani, transmeton lajmi.net.

Hossari ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2022, ai mund të luaj si mesfushor i majtë, mesfushor defanziv dhe si mbrojtës i majtë.

27 vjeçari ishte angazhuar së fundmi tek skuadra libaneze Shabab Bourj.

Edhe Hossari është shprehur i ngazëllyer me transferimin e tij në Kosovë, në fakt ai deklaroi se është i njoftuar me kampionatin e Superligës sepse e ka përcjellë më herët.

“Elitën e futbollit kosovar e kam shikuar vazhdimisht dhe kur në drejtim timin erdhi një ofertë nga një klub shumë serioz dhe i organizuar siç është KF Llapi, pa hezitim pranova dhe jam mjaft i lumtur që sot jam këtu”, tha ai.

“Do jap maksimumin për klubin i cili pretendon të jetë lartë në kampionat dhe të siguroj plasman sa më të lartë në Kupën e Kosovës. Tanimë jam i njoftuar me ambientin, stafin teknik dhe lojtarët. Na mbetet të përgatitemi sa më mirë që të arrijmë suksesin së bashku”, tha Hossari.

Hossari ishte transferuar në KF Llapi me ndërmjetësimin e menaxherit shqiptar të lojtarit, Musa Quranolli nga Baseli./Lajmi.net/