Zyrtare: Finalja e parë e edicionit të Ligës së Konferencës zhvillohet në “Air Albania”

Finalja e edicionit të parë të garës së re për klubet e njohur si Liga e Konferencave do zhvillohet në kryeqytetin e Shqipërisë "Air Albania".

Sport

03/12/2020 17:13

Lajmi u konfirmuar nga Federata e Futbollit të Shqipërisë (FSHF), shkruan lajmi.net.

Komunikata e FSHF-së pa ndërhyrje:

“FSHF sjell në Shqipëri një finale të madhe europiane! “Air Albania Stadium” mirëpret finalen e “Conference League” në vitin 2022! Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s është mbledhur sot përmes video-konferencës dhe mori një vendim historik për Shqipërinë! Finalja e “UEFA Conference League”, turneut më të ri europian për klube që do të nisë sezonin e ardhshëm, do të zhvillohet në stadiumin kombëtar “Air Albania” në vitin 2022! Kjo është hera e parë në historinë e sportit shqiptar që vendi mirëpret një finale europiane të këtyre përmasave.

Shqipëria ishte një nga kandidatet kryesore për zhvillimin e kësaj finaleje, por arriti të lërë pas Irlandën e Veriut dhe Finlandën. Në këtë mbledhje historike mori pjesë edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, njëherësh edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, i cili ka pasur një rol kyç duke lobuar vazhdimisht për këtë vendim.

Gjatë mbledhjes Presidenti Duka falënderoi të gjithë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv për mbështetjen që po i japin Shqipërisë dhe në veçanti futbollit shqiptar. Një event i këtyre përmasave është një mundësi fantastike promovimi për Shqipërinë, që do të jetë në qendër të vëmendjes për disa ditë me radhë.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s mori edhe disa vendime të tjera në mbledhjen e zhvilluar sot në lidhje me finalet e kompeticioneve të UEFA-s”, shkruhet në njoftimin e bërë nga FSHF në rrjetet sociale./Lajmi.net/