Zyrtare: Conte, selektor i ri i Italisë
Italia ka emëruar selektorin e ri. Zyrtarisht, Antonio Conte ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me Federatën Italiane të Futbollit (FIGC), për t’u bërë pasardhës i Cesare Prandellit.

Sport
Antonio Conte është selektor i ri i Italisë.
Ish trajneri i Juventusit do t’i drejtojë Azzurrët në kontratë dyvjeçare deri më 2016, ka njoftuar Federata Italiane e Futbollit (FIGC) nëpërmjet një komunikate të publikuar në faqen zyrtare.
Conte ishte i lirë pas largimit nga gjiganti torinez ku kaloi tri sezone të suksesshme gjatë së cilave fitoi tre tituj të njëpasnjëshëm në Serie A.
Por, tani do të ketë një sfidë të re në një nivel të cilin nuk e ka provuar më parë, atë ndërkombëtare ku do të ngarkohet me detyrën e kualifikimit të Italisë për në Euro 2016 në Francë, si objektiv fillestar.
Ai e zëvendëson Cesare Prandellin i cili u largua pas aventurës së dështuar në Kampionatin botëror.