Zyrtare: Berisha me shokë mund të luajnë për Kosovën

16:02 | 27 Mars 2015

Basketbollistët si Dardan Berisha, Edmond Azemi, Yll Kacaniku, Dardan Berisha, Kenan Sipahi, Edon Maxhuni, Erris Nushi etj, mund të luajnë për Kosovën, ka konfirmuar FIBA.

FIBA është përgjigjur në kërkesën e FBK-së lidhur me lojtarët kosovarë ose me prejardhje nga Kosova të cilët janë paraqitur për reprezentacione të shteteve tjera dhe të drejtën e tyre për të luajtur për reprezentacionin e Kosovës, shkruan Gazetaolle.com.

Në përgjigjen e FIBA-s janë analizuar rast për rast më shumë se 20 lojtarë, emrat e të cilëve FBK ia ka dërguar zyrës ligjore të FIBA-s dhe FBK me kënaqësi pohon se shumica absolute e lojtarëve në listë, mund të luajnë për reprezentacionin e Kosovës, nëse ata  dëshirojnë dhe i përmbahen procedurave sipas nenit 3-23 të Rregulloreve të Brendshme të FIBA-s.

Ndër lojtarët për të cilët është dhënë leja të luajnë për reprezentacionin e Kosovës janë edhe Edmond Azemi, Yll Kacaniku, Dardan Berisha, Kenan Sipahi, Edon Maxhuni, Erris Nushi etj. Në fakt, të vetmit lojtarë për të cilët ka ardhur përgjigje negative nga FIBA janë Erjon Kastrati dhe Gëzim Morina, të cilët janë paraqiture për reprezentacionin e Sllovenisë.

Morina dhe Kastrati janë natyralizuar si shtetas sllovenë si “raste të margjinalizuara” me vendim të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të FIBA-s dhe si të tillë nuk mund të paraqiten për ndonjë shtet tjetër, thuhet ndër të tjera në letrën e FIBA-s.

“Ky është një lajm i pritur por shumë i gëzueshëm për ne sepse na mundëson që më në fund të kontaktojmë kosovarët që dëshirojmë të luajnë për Kosovën dhe të fillojmë të krijojmë reprezentacionet e të gjitha grup moshave me talentët më të mëdhenj dhe lojtarët më të mirë. Për rastin e Morinës dhe Kastratit, unë mendoj se është dëm që janë natyralizuar si “raste të margjinalizuara” dhe besoj deri në maj do të vazhdojmë me përpjekje që të gjejmë argumente shtesë për zyrën ligjore të FIBA-s, por tani nuk mund të thuhet asgjë më shumë”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i FBK-së Leart Hoxha.

FBK është pranuar në FIBA më 13 mars dhe aktivitetet e para zyrtare me reprezentacione do ti ketë në kampionatet evropiane të grup moshave të reja në korrik.