ZYRTARE: Angli – Kosovë luhet në këtë stadium

Anglia do të kthehet në stadiumin ‘St Mary’s’ të Southamptonit për ta zhvilluar ndeshjen kualifikuese për Evropianin e vitit 2020 ndaj Kosovës, ka konfirmuar Federata Angleze e Futbollit.

Sport

01/05/2019 14:15

Kushtet e FA janë përmbushur dhe Anglia do të kthehet në bregun jugor për herë të parë që nga viti 2002 kur luajnë ndaj Kosovës më 10 shtator.

Lajmi vjen si pjesë e planeve të FA për të lejuar ekipin kombëtar të luajë në stadiumet në të gjithë vendin, duke përfituar nga ndeshjet e suksesshme ndërsa Wembley po ndërtohej, transmeton lajmi.net.

Në ndeshjen e fundit zyrtare në stadiumin e Southampton 17 vite më parë, Anglia barazoi 2-2 kundër Maqedonisë. Kapaciteti i stadiumit është 32,505 ulëse.

Vitin e kaluar Anglia ka luajtur ndeshje miqësore në stadiumin e Leeds ‘Elland Road’ dhe atë të Leicester City ‘King Power Stadium’.

‘Tre Luanët’ do luajnë jashtë Wembleyt për herë të parë pas 17 viteve në një ndeshje zyrtare, teksa përballë do kenë ‘Dardanët’ e Bernard Challandes.

Biletat për ndeshje do të dalin në shitje në Angli më 10 maj, me çmime nga 10 funte për juniorë nën përcjelljen e familjarëve, pastaj 25 për të rritur dhe të tjera nga 35, 45 dhe 55 funte. /Lajmi.net/