Zyra e Kryeministrit tenton ta fshehë fotografinë e Kurtit ku shihet emri i Kosovës me fusnotë

Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës ka dërguar njoftim për media për takimin e katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Lajme

07/12/2021 17:27

Kryeministri Kurti në këtë takim ka deklaruar se ky është moment i rëndësishëm për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, veçanërisht në funksion të nisjes së fazës së dytë të zbatimit të prioriteteve politike në kuadër të Agjendës së Reformës Evropiane – ERA, transmeton lajmi.net.

Por, çfarë bie në sy në njoftimin e dërguar nga Zyra e Kryeministrit janë pamjet e dërguara nga takimi, ku nuk ka foto nga afër të kryeministrit Kurti.

Gjatë ditës së sotme në rrjete sociale janë shpërndarë foto nga takimi i mbajtur, ku kryeministri Kurti ka reprezentuar Kosovën me fusnotë.

Kjo ka nxitur reagime të shumta ndaj Kurtit, i cili gjatë kohës sa ishte në opozitë kishte kundërshtuar fuqishëm vendosjen e fusnotës përkrah emrit të Kosovës.

Në pamjet e dërguara nga Zyra e Kryeministrit, në asnjë foto nuk shihet Kurti nga afër ku shihej edhe mbishkrimi “Kosovo*”.

Njoftimi i plotë nga Zyra e Kryeministrit:

Ky takim është moment i rëndësishëm në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, veçanërisht në funksion të nisjes së fazës së dytë të zbatimit të prioriteteve politike në kuadër të Agjendës së Reformës Evropiane (ERA), tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në takimin e katërt të Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës.

Kryeministri tha se Qeveria tashmë ka miratuar planin e ri të Agjendës së Reformës Evropiane ERA II me prioritete që vijnë nga MSA, për të cilin jemi zotuar ta zbatojmë me prioritet të lartë. Ai theksoi përkushtimin për të ecur sa më shpejtë që është e mundur në rrugën e integrimit, ndërsa tha se Bashkimi Evropian është e ardhmja e vendit, për të cilën nuk shohim alternative tjetër.

Ne besojmë se kushtet e BE-së duhet të jenë të drejta dhe të lidhura me progresin aktual dhe të na motivojnë të gjithëve që ta afrojmë rrugën e Kosovës drejt BE-së, tha kryeministri Kurti. Ai theksoi rëndësinë që ka mirëmbajtja e besimit të qytetarëve të Kosovës, duke dëshmuar përfitimet e të qenit pjesë e BE-së me veprime konkrete, që do të duhej të fillonte nga liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Besimi është shumë i nevojshëm në çdo vend që dëshiron të nisë rrugëtimin e vështirë të anëtarësimit në BE, shtoi kryeministri.

Duke përmendur stabilitetin institucional në vend, si rezultat i zgjedhjeve të 14 shkurtit, reformat e nisura në drejtësi, luftën kundër krimit dhe rritjen ekonomike të shënuar gjatë këtij viti, Kryeministri Kurti tha se Kosova po hyn optimiste në vitin 2022.

Para përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Përfaqësuesit të Lartë të saj për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell dhe Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, u prezantuan arritjet dhe planet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Diskutimet e takimit u fokusuan mbi marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian në kontekstin e marrëveshjes kontraktuale të Stabilizim-Asociimit, si pjesë e procesit të integrimit të Republikës në Kosovës në Bashkimin Evropian.

Në këtë mbledhje, Kosova u përfaqësua nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja e dytë dhe njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala. /Lajmi.net/

Fotot e dërguara nga Zyra e Kryeministrit:

Foto nga afër e kryeministrit Albin Kurti në takimin e katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian: