Zvonko Veselinovic përsëri protagonist

Zvonko Veselinovic ka qenë protagonist i rrahjes së të hënës mbrëma në këtë komunë, si pasojë e të cilës u lënduan nëntë persona, njëri prej të cilëve i plagosur me armë zjarri.

Lajme

08/01/2014 09:23

Kapoja e krimit të organizuar në Mitrovicën e Veriut, Zvonko Veselinovic ka qenë protagonist i rrahjes së të hënës mbrëma në këtë komunë, si pasojë e të cilës u lënduan nëntë persona, njëri prej të cilëve i plagosur me armë zjarri, bëjnë të ditur burime të Kosovapress.

Sipas këtyre burimeve, incidenti ka filluar në kafeterinë ‘Crna Dama’ në veri të Mitrovicës, e që pastaj ka vazhduar edhe nëpër lokacione të ndryshme të sheshit ‘Shumadija’ dhe ka zgjatur rreth 20 minuta.

“Një person nga Peja me mbiemrin Nedelkoviq, ka sulmuar bashkëshorten e Zvonko Veselinoviqit, Lila Bozhoviq, me shufër të hekurt duke e goditur atë në kokë. Kjo ka ndodhë në ‘Crna Dama’, ndërsa menjëherë ka reaguar një pjesëtar i sigurimit të Zvonkos, Daki Xhukiq, i cili ka gjuajtur me armë në drejtim të Nedelkoviqit, duke e plagosur atë në këmbë”, kanë thënë burimet.

Burimet më tej kanë shtuar se policia në veri është në dijeni të të gjithë pjesëmarrësve në këtë incident, por nuk është arrestuar askush për shkak të ndikimit të madh të Zvonko Veselinoviqit.

Kosovapress ka provuar të kontaktoj përgjegjësit e policisë në veri për të marrë ndonjë deklaratë rreth këtij incidenti, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Kreu i krimit të organizuar Zvonko Veselinovic, është i dyshuari kryesor për një numër veprash penale, duke përfshirë këtu disa vrasje në Serbi, pastaj djegien e pikave kufitare në veri, implikime të shkallës së lartë në krimin e organizuar në atë pjesë etj.