Zvicra ndalon “Shtetin Islamik” me urdhëresë të veçantë

Qeveria e Zvicrës ka nxjerrë një urdhëresë për ndalimin e “Shtetit Islamik”, e cila hyn në fuqi të enjten dhe mbetet valide gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

Bota

08/10/2014 20:22

Qeveria zvicerane ka marrë vendimin për ndalimin e grupit xhihadist të IS në këtë vend, njofton albinfo.ch.

Grupimi “Shteti Islamik” është duke bërë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, thuhet në një komunikatë të Këshillit Federal, të publikuar pasditen e së mërkurës. Mbështetur në përshkallëzimin e javëve të fundit, qeveria ka vendosur që përmes një urdhërese të ndalojë veprimtarinë e këtyre grupimeve.

Urdhëresa në fjalë bën ndalimin jo vetëm të të gjitha aktiviteteve të organizatës brenda e jashtë vendit, por edhe të gjitha aksionet që i shërbejnë mbështetjes së saj materiale ose me personel. Në terma konkretë, kjo nënkupton ndalimin e grumbullimit të parave, joshjes së anëtarëve ose aksioneve tjera propaganduese për organizatën në fjalë.

Kushdo që bie në kundërshtim me këtë ndalesë, në të ardhmen duhet të llogarisë me një dënim deri në tre vjet heqje lirie ose me gjobë. Në rastet e përmendura mund të ngrihen edhe masat pasurore të organizatës në fjalë, thotë komunikata.