Zvicra mposht Gjibraltarin, merr biletën për finalet e Euro 2020

Kombëtarja e Zvicrës ka siguruar biletën për finalet e Euro 2020.

Sport

18/11/2019 22:35

Helvetikët kanë fituar me rezultatin 1:6, në udhëtim tek Gjibraltari, duke marrë zyrtarisht biletën për kualifikimin tutje, shkruan lajmi.net.

Golin e parë në këtë takim e shënoi Cedric Itten, pas vetëm 10 minutave lojë, dhe me këtë gol u mbyll pjesa e parë.

Ruben Vargas dyfishoi epërsinë e mysafirëve kur luhej minuta e 50’, kurse vetëm shtatë minuta më vonë ishte Christian Fassnacht ai që shënoi për 0:3.

Reece Styche shënoi golin e vetëm për Gjibraltarin në këtë ndeshje, kur në minutën e 74’ dërgoi topin në rrjetën e kundërshtarit, kurse një minut pas golit të Styche, me anë të Loris Benito shifrat shkuan në 1:4.

Rezultati final u vendos nga Itten 84′ dhe Granit Xhaka i cili shënoi në minutën e 86′.

Me këtë fitore, Zvicra tashmë numëron 17 pikë, për pozitën e parë, duke lënë prapa Danimarkën me 16 pikë dhe Republikën e Irlandës me 13 pikë. /Lajmi.net/