Zv/ministri i shkarkuar: Ndoshta Kurti mendon që në mandatin tjetër duhet të jem ministër

Sejnur Veshall, ish-zëvendësministër i Ministrisë së Kulturës, ka thënë se shkarkimi  i tij nga kjo pozitë u bë sepse, siç tha ai, ka mbrojtur, kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Kulturës, Hajrullah Çeku.

Lajme

05/07/2022 23:53

“Unë u lirova prej postit sepse kam punuar për qeverinë dhe e kam mbrojtur qeverinë dhe u lirova prej postit sepse e kam mbrojtur Albin Kurtin dhe Hajrullah Çekun”, ka thënë Vellash në Kiks.

Ai madje tha se në mandatin tjetër të Qeverisë Kurti, mund të jetë edhe ministër.

“Ndoshta zoti Kurti, mendon që unë në mandatin tjetër duhet të jem ministri i tij. Nuk e di a do të jem pjesë e VV-së, por aktivizmi im nuk do të stagnojë… Komuniteti rom do të ketë një zë shumë të fuqishëm, qoftë në qeveri, qoftë në kuvend, qoftë në shoqëri civile”, ka shtuar ai në Klan Kosova.

Ai tha se partia e tij ka kërkuar që ai të mos angazhohet në qeveri por në parti.

“Sipas atyre, nuk kam bashkëpunuar me partinë, ndërsa pozita e zëvendësministrit është angazhim në qeveri.. Unë nuk jam në pozitë të punoj në zyrat e partisë, por të përfaqësoj komunitetin rom në Qeverinë e Kosovës… Më ka thënë që duhet të angazhohem ndoshta më shumë në parti se në qeveri”, ka thënë ai.

Sipas Veshall, kryeministri i tha se i është bërë e padrejtë, por shkarkimi u bë për shkak të koalicionit.

“Kërkesa e kryeministrit ka qenë që unë të qëndroj aty.. Fakti më i mirë, më ngushëllues, është se kryeministri nuk ma dorëzoi vendimin e lirimit, por ma dorëzoi asistenti i tij dhe më tha që kryeministri ka thënë që më është bërë e padrejtë, por që është për shkak të koalicionit, sepse koalicioni më ka propozuar aty dhe më kërkoi që të tërhiqem… Kur nuk është në dorën e tyre nuk mund t’u them pse është bërë kjo çështje, sepse është në koordinim të koalicionit”, ka shtuar Veshall.