Zubin Potok: Dy policë të lënduar, suspendohet zv.komandanti

Dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë marrë lëndime derisa po përpiqeshin të ndalnin turmën prej rreth 150 personash, të cilët të mërkurën ndërhynë dhunshëm në stacionin e policisë në Zubin Potok, për të liruar një qytetar serb të paraburgosur gjatë ditës.

Lajme

13/03/2014 09:41

Zëvendëskomandanti rajonal i policisë së Kosovës për veri, Besim Hoti ka njoftuar se dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë marrë lëndime derisa po përpiqeshin të ndalnin turmën prej rreth 150 personash, të cilët të mërkurën ndërhynë dhunshëm në stacionin e policisë në Zubin Potok, për të liruar një qytetar serb të paraburgosur gjatë ditës.

“Një i dyshuar është arrestuar nga Policia e Kosovës në orët e pasdites të ditës së mërkurë në Zubin Potok, pas përfshirjes së tij në një rast të ‘kërcënimit’ dhe ‘prishjes së rendit publik’.

Pas shoqërimit të të dyshuarit në stacionin policor në Zubin Potok, është vërtetuar se ndaj të njëjtit ekziston një urdhër-arrest aktiv nga viti 2012, për përfshirjen e tij në aktivitete të veprave penale kundër personelit nën mbrojtje ndërkombëtare dhe dëmtim të pronës së luajtshme.

Gjatë orëve të mbrëmjes, i njëjti ishte duke u mbajtur në objektin shtesë të stacionit policor në Zubin Potok, ndërsa për shkak të dyshimit të neglizhencës së zyrtarëve policorë në sigurimin e të arrestuarit, i njëjti ka arritur që të arratiset si rezultat i presionit të grupit të personave të tubuar para stacionit policor, në kërkim të lirimit të tij, thekson policia.

Policia e Kosovës ka vënë në veprim planin “unaza e çeliktë” me qëllim të lokalizimit të të arratisurit.

Veç tjerash, prokurori i shtetit në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, është informuar lidhur me situatën e paraqitur, ndërsa në vendngjarje janë duke u ndjekur procedurat hetimore.

Si rezultat i veprimeve preliminare lidhur me neglizhencën, është ndërmarrë masa e suspendimit të përkohshëm deri në 48 orë, ndaj zëvendëskomandantit të stacionit policor, ndërsa së bashku me Inspektoratin Policor do të ndiqen procedurat e mëtejme hetimore për të sqaruar të gjitha rrethanat e paraqitura”, thekson polica.

Dy policë të lënduar 

Dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë marrë lëndime derisa po përpiqeshin të ndalnin turmën prej rreth 150 personash, të cilët të mërkurën ndërhynë dhunshëm në stacionin e policisë në Zubin Potok, për të liruar një qytetar serb të paraburgosur gjatë ditës. Lajmin e konfirmon për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskomandanti rajonal i policisë së Kosovës për veri, Besim Hoti.

“Dy pjesëtarë të policisë së Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta, pasi që janë përballur me masën në atë moment”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, i paraburgosuri, tashmë i arratisur, ishte mbajtur në arrest fillimisht për shkak të një kërcënimi dhe prishje të rendit publik. Më vonë, ishte vërtetuar se ndaj të njëjtit kishte një urdhër-arrest në fuqi, që nga viti 2012, lëshuar nga ish-gjykata e Qarkut në Mitrovicë!

“Kemi pasur një grup prej 100 deri 150 personash, të cilët në vazhdimësi, kishin bërë presion përpara objektit të stacionit policor në Zubin Potok, me kërkesë për lirimin e tij. Kemi pasur edhe bllokadë të rrugës. Sidoqoftë, kemi regjistruar diku pas orës 19h20 arratisjen e tij, pas një presioni të një grupi të qytetarëve”, ka thënë Hoti.

Ai ka bërë të ditur se lidhur me këtë incident është pezulluar përkohësisht zëvëndës-komandanti i stacionit policor në Zubin Potok, dhe se policia do të hetojë “të gjitha neglizhencat e mundshme në kuadër të veprimeve policore”.

Zyra për Kosovën dënon dhunën në Zubin Potok

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka dënuar hyrjen me dhunë, siç thuhet, të qytetarëve në stacionin e Policisë së Kosovës në Zubin Potok që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:00. Kjo zyrë ka apeluar tek qytetarët të ruajnë qetësinë dhe stabilitetin, të cilat në këto momente janë më se të nevojshme.

“Çdo përdorim i dhunës i shkaktuar nga serbët gjithmonë do të shfryttëzohet si arsyetim për sulm kundër popullatës serbe dhe pasurisë së tyre”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga kjo zyrë.

Kryetari i Zubin Potokut, Stevan Vuloviq, ka thënë se banorët lokalë mbrëmë kanë depërtuar me dhunë në stacionin e policisë në këtë qytet dhe e kanë liruar personin, Sllobodan Sovërliq, i cili më herët gjatë ditës, ishte paraburgosur për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë publike.

Vulloviq, tha se disa makina të EULEX-it ishin tërhequr nga ky qytet. Ai e ka përshkruar situatën e mëpastajme si të qetë dhe tha se qytetarët, që e kishin bllokuar stacionin e policisë së Kosovës në Zubin Potok, ishin shpërndarë.

Stevan Vulloviq ka thënë se pjesëtarët e policisë së Kosovës janë në kërkim të të paraburgosurit të ikur, Sllobodan Sovërlliq. Raportohet se ka pasur dëme materiale.

 

(RTK)