ZRrE shtyn përcaktimin e nivelit të humbjeve të energjisë

Me vendim unanim të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) në mbledhjen e tretë u vendos që të shtyhen për një mbledhje tjetër pikat 5 dhe 6 të rendit të ditës.

Lajme

13/06/2018 18:29

Aprovimi i bilancit vjetor të energjisë elektrike përkatësisht shqyrtimi i parametrave rregullativ për periudhën e dytë rregullative 2018 – 2022, u shtynë me propozim të u.d të kryesuesit të Bordit të ZRrE-së, Arsim Janova.

Janova tha se ky propozim u bë për shkak të një rezolute që i ka ardhur dje Bordit e të cilën Kuvendi i Kosovës e ka miratuar me 5 qershor.

“E cila ka të bëj me zgjidhjen e çështjes së KOSTT-it me mbulimin e kostove që i ka me rastin e furnizimit të pjesës veriore dhe meqenëse parametrat rregullativ dhe në përgjithësi tarifat për periudhën e dytë pesë vjeçare ndërlidhen me KOSTT-in, unë propozoj të hiqet nga rendi i ditës pika 5 dhe 6 të mbetet për një mbledhje tjetër” , tha Janova.

Pikat 5 dhe 6 të rendit të ditës do të trajtohen përsëri në rendin e ditës të një mbledhje tjetër të Bordit pas aktiviteteve që do të kryhen mes ZRrE-së, qeverisë, kuvendit dhe KOSTT-it për mbulimin e shpenzimeve të këtij të fundit.

Anëtari tjetër i Bordit të ZRrE-së, Izet Rushiti tha se në rezolutë kërkohet që brenda tre muajuve të përgatitet  një raport mbi energjinë e shpenzuar në veri.

“Një raport për energjinë e shpenzuar në veri dhe se si do të mbulohet kjo energji. Tash nuk është vetëm një punë e ZRrE-së, por me këtë rezolutë obligohen edhe të tjera institucione, do të formohet një grup punues dhe të gjendet një zgjidhje më e mirë që kjo energji t’i ketë kostot dhe të ngarkohet me këtë kosto”, tha Rushiti

KEDS-i po kërkon nga ZRRE-ja që nga ky vit të rriten humbjet e pranuara, kërkesë e cila mund të ndikojë direkt në rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Kërkesa është që duke filluar nga viti 2018, humbjet e pranuara të jenë 21.9%, apo 5 pikë të përqindjes më shumë se sa humbjet aktuale të pranuara. Në bazë të buxhetit total të energjetikës, 1 pikë e përqindjes ka një kosto/ndikim prej rreth 2.5 milionë euro.

Nëse propozimi i KEDS-it do të zbatohet nga ZRRE-ja, atëherë do të kishte një rritje të të hyrave të KESCO-s dhe KEDS-it prej të paktën 10 milionë euro. Ky ndryshim do të pasonte me një rritje të tarifave prej 3 deri në 5 për qind./Kallxo.com