ZRRE dërgon zyrtarë të saj jashtë vendit pa kontratë paraprake
Institucioni i rregullator i energjisë elektrike në vend nuk ka kursyer shpenzimet për udhëtime zyrtare dhe ato të telefonisë. Madje, sipas raportit të Auditorit të Përgjithshëm, këto shpenzime janë bërë pa ndonjë kontratë paraprake nga ana e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që do të siguronte menaxhim më efikas të mjeteve.
Lajme
Sipas të dhënave të Thesarit, shpenzimet vjetore për vitin 2013 për bileta të udhëtimeve zyrtare ishin 18,434 euro, ndërsa shpenzimet e telefonisë mobile kapin vlerën prej 10,045 euro, ka konstatuar Auditori i Përgjithshëm, njofton gazeta Tribuna.
“Gjatë testimeve vërejtëm se këto shpenzimeve janë realizuar pa kontratë”, thuhet më tutje në raport. Lidhur me këtë çështje Auditori vlerëson se furnizimi me bileta dhe me mbushje të telefonave mobilë pa kontratë rrit rrezikun që të paguhen çmime më të larta krahasuar me çmimet reale të tregut.
Auditori i rekomandon kryesuesit të Bordit t ZRRE që të sigurojë fakte se shërbimet telefonike dhe të biletave janë zhvilluar me procedura të prokurimit, pasi kjo siguron shërbime cilësore dhe kosto më të ulët.
Në këtë institucion, Auditori po ashtu ka vërejtur parregullsi në procedurat e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, duke shpenzuar për darka. (Tribuna)