Zotimet në fjalë dhe kontratat e punës
Nuk ka këtu dy opsione, dy mundësi, dy rrugë. Kosova patjetër duhet të mbërrijë në stacionin politik qendror kontinental të Brukselit.
Opinion
Në politikën e çdo vendi, prijësit politikë mund të dalin me ofertë për qytetarët e tyre, varësisht se çfarë gjendje mbizotëron në atë shtet, cilat janë preokupimet dhe shqetësimet kryesore të qytetarëve, çka mund të arrihet në atë vend, në politikë, në ekonomi, në siguri.
Thënë ndryshe, nëse nuk ka siguri themelore në vend, nëse nuk ka liri në atë vend, nëse ka poashtu mungesë të bukës, çdo politikë e mundshme nuk ka çka të zgjedhë dhe çka të ofrojë pos që urgjentisht të vendosë rendin dhe ligjin, të garantojë lirinë dhe të sigurojë ushqimin për të gjithë. Ndryshe, vjen në pyetje vetë ekzistenca e atij shteti.
Në rastin e Kosovës, për fatin tonë të mirë, nuk jemi në një situatë të tillë, kur ndodhin thyerjet e mëdha, apo kur domosdoshmëria është politika e vetme e një populli dhe e një vendi.
E kishim të domosdoshme të çlirohemi nga Serbia, sepse ndryshe nuk jetonim dot më në Kosovë (pra, liria ishte e barasvlershme me ekzistencën fizike të shqiptarëve në Kosovë), e kishim të domosdoshme të bëhemi shtet i pavarur, sepse ndryshe nuk mund të garantonim ardhmëninë për qytetarët e Kosovës.
Por kur jemi te kategoria politike e domosdoshmërisë, s’do mend që si i tillë mund të klasifikohet edhe rrugëtimi i Kosovës për anëtarësim në Paktin NATO dhe në Bashkimin Evropian. Nuk ka këtu dy opsione, dy mundësi, dy rrugë. Kosova patjetër duhet të mbërrijë në stacionin politik qendror kontinental të Brukselit.
Kjo do të ndodhë, herët a vonë, pas dhjetë vjetësh apo më shumë. Dhe ky afati kohor, në masë të madhe është në duart tona, edhe pse, sikur edhe kur u çliruam dhe kur u bëmë shtet, partneriteti ne Perëndimin është kusht pa të cilin nuk bën nëse duam të përmbushim qëllimin tonë parësor si shtet tash e tutje.
Kushti kyç në këtë aspekt është cilësia e qëndrueshmërisë politike dhe ekonomike, brenda vendit dhe në Botë, raportet me shtetet fqinje, kontributi i jonë në stabilitetin e rajonit, më në fund, kualifikimi i shtetit të Kosovës për të qenë anëtar i Paktit NATO dhe i BE-së.
Me fjalë, lehtë bëhet kjo punë. Me bindjen tona që kemi për vete si politikë, mbase, edhe më lehtë. Me botëkuptimin mbizotërues ndër ne, të cilat para se të gjithash karakterizohen me atë raportin elementar tregtar të borxhit që e ka Evropa ndaj nesh, diçka e tillë, apo integrimi i Kosovës në Evropë, tashmë është dashtë të ndodhë.
Ndërsa askund në rajon nuk ndodhë, pos në Kosovë dhe në Shqipëri, që ndër obligimet që ka Ambasadori i Amerikës në atë shtet, është të shkoj në Qendrat e numërimit të votave dhe të bëhet për disa orë vëzhgues, mbikëqyrës i numërimit të votave dhe i zgjedhjeve si të tilla.
Ndërsa askund nuk bën vaki që zgjedhjet, në radhë të parë, të jenë mision i sundimit të ligjit, siç po shënohet tek ne në dy palë votimet e fundit, e pastaj (tek), ndërmarrje e shprehjes së vullnetit të qytetarëve të Kosovës për t’i legjitimuar institucionet e reja qendrore të Kosovës.
Ndërsa për mënyrën se si ndër ne kuptohet dhe shpjegohet politika, gjegjësisht Rendi Ndërkombëtarë, nuk ka çka të flitet. Ajo i përngjet këqyrjes së fallit në kafe. Pak a shumë.
Kosova si shtet, si shoqëri poashtu, duhet të kalojë, nëse njëmend synohet që gjendja në vend të ndryshojë thelbësisht, që qytetarët të jetojnë më mirë brenda vitesh që maten me gishtat e një dore, që të mbërrihet tek qëndrueshmëria e jashtme dhe e brendshme e vendit, nëpër ndryshime rrënjësore, për të cilat deri tash së paku, politika e Kosovës nuk ka qenë e gatshme, e vullnetshme, mbase, edhe e dijshme.
Përkthimi i zotimeve deklarative në kontrata të mirëfillta të punës dhe obligime që ka një politikë zyrtare në Kosovë, ndaj qytetarëve të vet, në përmbushje të synimit jetik të qëndrueshmërisë afatgjatë të vendit, ndaj rajonit dhe gjithsesi, përballë mësymjes sonë për të qenë pjesë e Evropës dhe e Paktit NATO, do të mund të ndodhë vetëm atëherë kur do të instalohet në politikën tonë modeli i demokracisë liberale, i sundimit të ligjit.
Mund të mashtrojmë veten që tashmë i kemi përvetësuar këto vlera politike. Sepse askush tjetër nuk na beson që njëmend kjo ka ndodhë në Kosovë.
(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)