Zonë e lirë ekonomike në Mitrovicë
Avni Kastrati ka premtuar se do të jetë në dispozicion për krijimin e kushteve më të mira për bizneset e vogla dhe të mesme të Mitrovicës. Ai ka thënë se së shpejti do të hapet edhe tenderi për zonën e lirë ekonomike.
Lajme
Kandidati i PDK’së për Kryetar të Mitrovicës, Avni Kastrati, në vijim të fushatës për zgjedhjet e 3 nëntorit, të premten ka vizituar bizneset e vogla dhe të mesme të Mitrovicës.
“I shoqëruar nga kandidatët për Asamble Komunale Abit Avdiu dhe Nurie Hajdari, me qëllim të njohjes nga afër me punën, sukseset dhe sfidat që kanë bizneset e vogla dhe të mesme, Kastrati ka vizituar bizneset: Gratiss Comerce, Vipprint, Savada, Baumetal, Konaktori dhe ndërmarrjen Fitimi.”, thuhet në njoftimin për media të PDK’së.
“Kandidati Avni Kastrati gjatë vizitës është shprehur i entuziazmuar me punën dhe përkushtimin e pronarëve dhe punëtorëve të bizneseve dhe ka thënë se e konsideron një të arritur të madhe vendimin e Qeverisë për krijimin e zonës së lirë ekonomike në Mitrovicë.”
“Kjo do të jetë përparësi e mirë për bizneset dhe do të ndikojë që Mitrovica edhe më shumë të avancojë në krijimin e kushteve për biznese edhe ashtu të mira që i ka.”
Kastrati, siç thuhet në njoftimin për media, ka informuar bizneset se së shpejti do të hapet edhe tenderi për zonën e lirë ekonomike.
Ai po ashtu ka premtuar se do të jetë në dispozicion për krijimin e kushteve më të mira për bizneset e vogla dhe të mesme të Mitrovicës, si një mundësi për zhvillimin ekonomik të Mitrovicës dhe zbutjes së papunësisë.