Zjarri në Llukar: Zjarrfikësit nuk po ndërhyjnë, thonë se ka rrezik nga minat
Zjarrfikësit nuk po ndërhyjnë në zonën ku në orët e pasdites ka shpërthyer një zjarr i madh në fshatin Llukar, më saktësisht në zonën ku është edhe depoja e pasurisë së luajtshme të konfiskuar si e fituar në mënyrë të jashtëligjshme

Lajme
Ata po hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë për shkak se thonë se nuk duan të rrezikojnë jetët e tyre, pasi sipas tyre kjo zonë ka rrezik nga minat pasi ka qenë edhe e bombarduar në vitin 1999 por në ndërkohë ata po presin nëse zjarri afrohet dhe rrezikon këtë depo.
Kryeshefi i Agjencionit për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar, Rrahim Rama ka thënë se ka marrë garancionin që zjarri nuk do të rrezikojë depon.
“Kemi marrë informatën rreth orës 21:00, jemi duke u marrë me këtë çështje, kemi biseduar me sekretarin e FSK-së, zjarrfikësit thonë se kodrina është e minuar, por sipas FSK-së pjesa është e pastruar”.
“Zjarrfikësit kanë garantuar se nëse duhet do të qëndrojnë tërën natën dhe të mos lejohet zjarri që të rrezikojë depon. Kemi qenë në kontakt me Agjencionin e Emergjencave dhe ata kanë dërguar forcat e tyre”, ka thënë Rama në edicionin e lajmeve në Klan Kosova.
Sipas tij, nëse zjarri i afrohet depos, atëherë rrezikohet shpërthim i madh duke rrezikuar kështu edhe miliona euro pasuri.
“Është një vijë e zjarrit që po i afrohet depos dhe këtu qëndrojnë me miliona euro pasuri, kemi marrë garancionin nga zjarfikësit se nuk do të lejojnë një gjë të tillë”.