Zjarri merr jetën e 150 personave në Gana

Të paktën 150 persona kanë mbetur të vdekur pas rënies së një zjarri në një pikë karburanti në Akra, kryeqyteti i Ganës.

Bota

05/06/2015 08:47

Prej ditësh zona ishte përfshirë nga reshje të dendura të shiu që u shoqëruan me përmbytje të mëdha dhe njerëzit kishin mbetur të bllokuar në një pikë karburanti, e cila u përfshi nga një zjarr i madh.

Presidenti i vendit, John Dramani Mahama shkoi në vendngjarje dhe e cilësoi atë si një “katastrofë” të paparë ndonjëherë. Ai shpalli 3 ditë zie kombëtare.

Presidenti u zotua se do të merrte masa të menjëhershme për prishjen e ndërtimeve në zona të palejuara, të cilat duket se kanë qenë edhe shkaku kryesor i përmbytjeve në këtë rast.

Pas një mbledhje urgjente të kabinetit dhe shefave të sigurisë, qeveria tha se ka akorduar një fond rreth 14 milionë dollarë për të ndihmuar familjet e përmbytura.