Zjarret në Izrael detyrojnë evakuimin e qindra personave

Me qindra vetë janë evakuuar në Izrael dhe në kolonitë e Bregut Perëndimor ku zjarrfikësit janë përfshirë prej 3 ditësh në një betejë me zjarret pyjore. Moti i thatë e i nxehtë dhe erërat në zonë po ushqejnë flakët e mbërritura tashmë në qytetin e Haifas, duke detyruar autoritetet të mbyllin përkohësisht autostradën kryesore Jeruzalem-Tel Aviv.

Bota

24/11/2016 16:41

Zjarret, sipas një anëtari të kabinetit qeveritar, besohet të jenë vënë qëllimisht, por policia këtë nuk e ka vërtetuar ende. 4 persona janë ndaluar ndërkohë në lidhje me një zjarr në zonën e Jeruzalemit. Që të gjithë ata janë palestinezë e pritet të dalin më vonë përpara gjykatës nën akuzën e nisjes së zjarrit nga pakujdesia.

Deri tani nuk ka raporte për viktima në njerëz nga zjarret që vazhdojnë avancimin, por të paktën 35 persona kanë marrë trajtim mjekësor për vështirësi në frymëmarrje të shkaktuara nga tymi.