Zjarre në Shqipëri, në Krujë rrezik afër ish bazës ushtarake të raketave (Video)

Duket se ditët e nxehta të kësaj jave kanë kthyer në vatra zjarri pyjet në vend, ku rreth 40 hektarë pyje e kullota në Shkodër janë përfshirë nga flakët ditën e sotme.

Lajme

21/07/2015 15:53

Zjarri ka përfshirë këto sipërfaqe pyjesh e kullotash në fshatin Melgush e në Bushat.

Tre zjarrfikëse kanë mbërritur në zonë për shuarjen e zjarrit madje dhe ushtria është mobilizuar duke bërë të mundur neutralizimin e flakëve në Bushat, ndërsa në Melgush situata paraqitet më problematike.

Në vendngjarje kanë mbërritur dhe forca të shumta policie e ushtrie.Vatrat e krijuara të zjarrit janë bërë rrezik për disa banesa që ndodheshin aty pranë, por situata po shkon drejt normalizimit.

Por, një zjarr tjetër i fuqishëm ka përfshirë pyjet e fshatit Krastë të Krujës mesditën e sotme.

Flakët po përhapen me shpejtësi dhe po afrohen pranë një ish-baze ushtarake të raketave e cila ende nuk dihet nëse ka raketa momentalisht aty edhe pse ruhet me ushtarë.

Raportohet se është dëgjuar edhe një shpërthim, ku mendohet se mund të jetë ndonjë lëndë plasëse e harruar në pyll.

Zjarrfikësit ndodhen në vendngjarje por terreni i vështirë dhe era po favorizojnë përhapjen e flakëve.

Ende nuk ka të dhëna për shkaqet e rënies se zjarrit por burime për A1 Report bëjnë me dije se në afërsi të zonës nuk ka banesa por ndodhen vetëm dy gurore dhe zona ushtarake. /shqiptarja

YouTube player