Zhbogar: Zhvillimi ekonomik, prioriteti i duhur i Qeverisë së Kosovës

Përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar tha se viti 2015 do të jetë i vështirë, përplot sfida për BE-në, Evropën dhe Kosovën.

Lajme

13/01/2015 23:22

Ai këtë deklarim e bëri në Prizren, në pritjen që e ka organizuar Dioqeza ortodokse me rastin e vitit të ri ortodoks.  

Ai sqaroi se viti do të jetë i vështirë për shkak se njerëzit në Kosovë presin ndryshime dhe përmirësim të jetës së tyre, kurse koha është shumë e shkurtër që Qeveria të arrijë rezultate.

Ai shtoi se ka shumë punë që Kosova dhe BE-ja do t’i punojnë bashkë dhe se i vjen mirë që Qeveria e ka vendosur si prioritet të saj zhvillimin ekonomik, sepse kjo është përgjigje e duhur për problemet që ekzistojnë në Kosovë.

“Kemi qeverinë e re, kurse në këtë qeveri kemi edhe ministra serbë, ministra që vijnë nga veriu i Kosovës dhe jam i sigurt se ata, si përfaqësues të serbëve nga Kosova do të bëjnë gjithçka që pozita e serbëve dhe jo vetëm e serbëve, por edhe qytetarëve tjerë në Kosovë të përmirësohet. Asisoj që në të ardhmen me gëzim më të madh të shikojnë në ardhmëri dhe të mos ikin nga Kosova në kërkim të punës jashtë vendit”, tha Zhbogar.

Ai gjithashtu tha se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojë dhe vlerësoi se ekzistojnë çështje që janë me interes për t’u zgjidhur për të dy palët.