Zhbogar thotë se në raportin e Williamsonit nuk ka emra

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar mendon se Williamson nuk do të publikojë emra në raportin e tij. Zhbogar madje thotë se Williamson nuk do të bëjë ndonjë raport, por ato mund të quhen “gjetje”.

Lajme

24/04/2014 21:19

“Supozoj se nuk do të dalë me emra meqë nuk do të dalë me ndonjë aktakuzë, por mund ta paraqesë raportin e tij. Po i shmangem termit raport, sepse kur themi raport ai është raporti i Dick Martyt. Williamson do të paraqesë gjetjet e tij, por nuk do të paraqesë emra”, ka thënë Zhbogar në emisionin “Argument” të RTV21.

Ai ka thënë se nuk e di nëse ky raport apo këto gjetje do të ndikojnë në procesin zgjedhor.

“Andaj nuk e di nëse kjo gjë do të ndikojë në procesin zgjedhor. Do të ishte mirë që raporti të mos paraqitej gjatë fushatës, sepse duhet t’i shmangemi që të ndikojmë në proces, duhet t’i shmangemi dhënies së opinioneve në çfarëdo forme. Nuk e di se kur do të zhvillohen zgjedhjet dhe nuk e di se kur do të publikohet raporti apo gjetjet e tij”, ka përfunduar Zhbogar, transmeton KosovaPress.

Më herët gjatë ditës, disa medie kanë publikuar se gjoja në listën e personave që do të gjykohen nga Gjykata Speciale janë edhe Hashim Thaçi, Xhavit Haliti, Kadri Veseli dhe Azem Syla.