Zhbogar, Meucci e Jakup Krasniqi diskutojnë rastin “Kleçka”

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, dhe shefi i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë – EULEX, Gabriele Meucci, janë takuar sot me Jakup Krasniqin, nga partia Nisma për Kosovën.

Lajme

12/03/2015 16:55

Në një njoftim të publikuar nga zyra e BE-së në Prishtinë, thuhet se në takim janë “shkëmbyer pikëpamjet mbi akuzat e publikuara kohët e fundit për ndërhyrje në procedurat gjyqësore ndaj kryetarit të NISMA-s, Fatmir Limaj”.

Zhbogar citohet të ketë thënë se “EULEX-i nuk është në Kosovë për të ndjekur asnjë agjendë politike, por është për drejtësi dhe sundim të ligjit” dhe se “ekzistojnë mekanizma për gjetjen e parregullsive të mundshme”.

Meucci ndërkaq, thuhet t’i ketë paraqitur në takim “të gjitha faktet relevante për të ashtuquajturin ‘rastin Kleçka’, e që aktualisht është në Gjykatën e Apelit”, duke rikujtuar edhe skualifikimin e panelit në nivelin e apelimit nga Kryetari i Gjykatës së Apelit.

Ai i ka cilësuar akuzat e publikuara së fundmi si jo faktike. Sipas Meuccit, asnjë gjyqtar nga paneli i diskualifikuar nuk do të jetë në panelin e ri.

Takimi i sotëm pason takimin që presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka zhvilluar me Meuccin të mërkurën, më 11 mars, e në të cilin Jahjaga ka ketë kërkuar vënien e drejtësisë në vend në rastin e zotit Limaj.