Zhbogar: Kosovën s’e pengojnë pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka thënë se Kosova është në rrugë të duhur drejt integrimeve evropiane dhe sipas tij asnjë vend i Bashkimit Evropian nuk do e pengoj rrugëtimin e shtetit të ri.

Lajme

07/06/2015 20:39

Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Zhbogar në një intervistë për “Fair Observer”, ka thënë që shembull i mirë i mos pengesës së vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën është procesi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

“Shembulli më i mirë është adoptimi i fundit i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim (MSA) nga Komisioni Evropian. Ndonëse pesë nga shtetet anëtare nuk e njohin Kosovën, të gjitha shtetet e BE-së kanë qenë mbështetëse për vazhdimin e procesit të MSA-së me Kosovën. Kosova ka të ardhme të qartë evropiane, dhe MSA-ja do ta çimentojë pozitën e Kosovës me politikat bazike të BE-së për Ballkanin perëndimor”, ka thënë Zhbogar.

Ndërkaq, duke folur për ndikimin rus për mos-njohjen e Kosovës nga shumë vende, siç janë Kina, Irani, Bjellorusia, Kuba e Venezuela, aleatë të fuqishëm të Rusisë, Zhbogar ka thënë se nuk dëshiron të spekulojë mbi arsyet se pse vende të caktuara, përfshi edhe ato të BE-së, nuk e njohin Kosovën.

“Qëndrimi i Bashkimit Evropian karshi statusit të Kosovës është neutral, dhe nuk do të ishte e përshtatshme për mua, si shef i Zyrës së BE-së në Kosovë të spekulojë mbi arsyet se përse disa vende, përfshi edhe shtetet e BE-së, për mosnjohjen e Kosovës”, ka thënë Zhbogar.

Sipas tij Kosova duhet fillimisht t’i ketë parasysh reformat ekonomike, por edhe zhvillimin e mëtejmë të sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit si hapa të nevojshëm në rrugën e integrimit në BE.