Zhbogar: Kanë nisur hetimet për skandalin e rastit “Kleçka”, ende nuk ka dëshmi (Video)

Shefi i misionit të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka premtuar hetime ndaj të gjithë zyrtarëve të përfolur se janë përfshirë në skandalin e rastit “Kleçka”.

Lajme

06/03/2015 14:47

Pas pyetjeve të anëtares së Komisionit Parlamentar për Integrime Europiane, nga radhët e Nismës, Valdete Bajramit, lidhur me raportimet në gazetën Koha Ditore, ku flitet për përfshirjen një gjykatësi të EULEX-it, Zhbogar është përgjigjur duke thënë se deri më tani janë të gjitha vetëm supozime.

Numri një i zyrës së BE-së në Kosovë është shprehur i bindur se misioni që ai përfaqëson nuk ka agjendë politike, dhe ka premtuar se të gjithë ata që e kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, do të ndëshkohen.

“Ne si BE, nuk përzihemi në punën e drejtësisë. Nuk kemi agjendë politike. EULEX është këtu për sundim të ligjit. Ne rast se nuk është diçka në rregull, BE ka mekanizmat e vet për të ndërmarr masa”.

Zhbogar ka bërë të ditur se hetimet ndaj gjyqtarit të apostrofuar, Manuel Suarez, kanë filluar, por se deri më tani nuk ka dëshmi për ato që janë raportuar në media.

“Ajo që kemi parë këto dy ditë në media, kanë qenë vetëm supozime e jo dëshmi. Janë bërë hetime për gjyqtarin Suarez në rastin e Kleçkës. Akoma nuk kemi gjet dëshmi për atë se çfarë po shkruhet”, ka thënë Zhbogar, transmeton lajmi.net.

YouTube player